11 persona janë zhdukur në tragetin që shpërtheu në flakë pranë ishullit grek të Korfuzit të premten, thonë autoritetet, raporton BBC.
Anijet e shpëtimit nxituan për të evakuuar 290 personat në bordin e Euroferry Olympia, duke përfshirë dy shoferë kamioni të bllokuar brenda.
Trageti ishte nisur nga Igumenica në Greqi për në portin italian të Brindisit, kur një zjarr ka rënë në një kuvertë makinash.
Pas zjarrit, kapiteni u tha të gjithëve të largoheshin pasi trageti ishte përfshirë nga flakët dhe filloi të nxirrte shtëllunga të dendura tymi.
Roja bregdetare greke tha se 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit kishin qenë në traget, në pronësi të firmës italiane Grimaldi Lines. Shumica e pasagjerëve ishin shtetas italianë, sipas guvernatorit të ishujve Jon, Rodi Kratsa-Tsagaropoulou, ndërsa ekuipazhi ishte grek dhe italian.
Zyrtarët italianë thanë se 277 nga ata në bord u shpëtuan dhe 10 prej tyre po trajtoheshin në spital për probleme të frymëmarrjes dhe lëndime të lehta. Disa orë më vonë, ekipet e shpëtimit arritën të gjenin dy burra të cilët ishin bllokuar dhe t’i largonin me avion nga anija.
Nuk ka asnjë lajm nga 11 të zhdukurit, por gjatë gjithë ditës zyrtarët janë përpjekur të konfirmojnë se sa njerëz kanë mundur të largohen nga tragetet kur u dha urdhri për të braktisur anijen.
Zjarri ishte ende i ndezur të premten në mbrëmje, por një ekip i specializuar grek i shpëtimit mundi të hipte në anije më shumë se 12 orë pas shpërthimit të zjarrit.
Një pasagjer tha për mediat greke se disa njerëz kishin fjetur në automjetet e tyre kur u ngrit alarmi./albeu.com