Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, përmes një postimi në Facebook e ka cilësuar skandaloze mos marrjen në pyetjet të komisionit të dhënies me koncesion të inceneratorit të Elbasanit nga Komisioni Hetimor Parlamentar. Sipas Kryemadhit moslejimi është bërë me urdhër politik.
“Për Elbasanin, Fierin, Tiranën, topi tashmë është në fushën e SPAK! Inkurajoj çdo prokuror dhe gjyqtar, që ta shohin të vërtetën siç është, pa marrë parasysh funksionet apo përkatësitë politike të individëve nën hetim”, shkruan ndër të tjera Kryemadhi.
Postimi i Kryemadhit
Skandaloze! Me urdhër politik, Komisioni Hetimor Parlamentar nuk u lejua të merrte në pyetje Komisionin e dhënies me Koncesion të inceneratorit të Elbasanit me arsyetimin qesharak: Marrëveshje me SPAK (për ruajtjen e sekretit hetimor).
Minimumi, Komisioni Parlamentar duhej të informohej: A ka mbivendosje Komisioni Hetimor Parlamentar me
SPAK?
Nëse anëtarët e Komisionit kanë lidhur marrëveshje me SPAK, ku është marrëveshja???
Çfarë statusi kanë anëtarët e KOMISIONIT? A kanë të drejtë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të informohen nga SPAK kë duhet të marrin në pyetje dhe kë jo ?
Analiza e veprimtarisë apo deklaratat e z. Pëllumb Abeshi, si Kryetar i Komisionit të Dhënies me Koncesion, si dhe anëtarëve të tjerë të Komisionit, do të zbardhnin qartazi për publikun shkeljet e rënda proceduriale, që sipas Kryeministrit Rama nuk ekzistojnë.
Kryetarja e Komisionit duhet të mos kishte lejuar në asnjë moment, heqjen e kamerave që siguronin transparencën për publikun.
Komisioni Hetimor me çfarë duket do të përfundojë thjesht me dëshmitarë që nuk dëshmojnë, apo që nuk do mbajnë mend, se çfarë ka ndodhur.
Për Elbasanin, Fierin, Tiranën, topi tashmë është në fushën e SPAK! Inkurajoj çdo prokuror dhe gjyqtar, që ta shohin të vërtetën siç është, pa marrë parasysh funksionet apo përkatësitë politike të individëve nën hetim.
Ndërkohë, siç e kam bërë në tre kallëzimet penale, shoqëruar me fakte, do vijoj të zbardh pa u ndalur të vërtetën si ka ndodhur, kush e ka lejuar, e kush po përfiton paratë e qytetarëve.
Jam në dispozicion të çdo institucioni, për të dëshmuar me fakte, me prova, me zë e me figurë, të vërtetën e kësaj afere./albeu.com