Gjithë DINAMIKA e vrasjes për gjakmarrje në Shkodër! Si u ekzekutua 47-vjeçari dhe saga e hakmarrjeve mes tre fiseve

Mbrëmjen së dielës, rreth orës  19:15, në fshatin Grudë e Re, Shkodër, në ambientet e një lokali, është vrarë me armë zjarri 47-vjeçari Prekë Tonaj, punonjës i Ujësjellës Kanalizimeve.

Si ndodhi vrasja

Autori i ngjarjes ka hyrë i maskuar në lokalin ku kishte dhe persona të tjerë. Ai i ka paralajmëruar ata që mos të lëviznin se ndryshe do i vriste. Më pas, ai i ka drejtuar kallashnikovin Prekë Tonajt duke i thënë “a e di se na ke borxh?” dhe ka qëlluar për vdekje. Mësohet gjithashtu se i kanë thënë dhe emrin e personit për të cilin po e vrasin.

Kush është autori i dyshuar dhe dëshmia e tij

30-vjecari Eduart Kësolla i cili u ndalua nga Policia e Shkodrës për vrasjen e 47-vjecarit, ka mohuar krimin para oficerëve të grupit hetimorë të bluve të Shkodrës.

Burimet bëjnë me dije se 30-vjeçari, nuk ka pranuar akuzat për vrasjen.

Ai ka deklaruar se nuk ka qenë atë natë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që prova që mendohet se ka bindur hetuesit e policisë se ky shtetas është autor i dyshuar i vrasjes janë gjurmët e barutit.

“Më keni arrestuar kot, nuk kam lidhje me ngjarjen”, është shprehur Kësolla.

Policia e Shkodrës i ka shkuar në banesë 30 -vjeçarit Kësolla menjëherë pas vrasjes, pasi dyshohet se kjo ngjarje ka lidhje me konfliktet e hasmërisë mes dy fiseve. Ai është marrë nga banesa e tij dhe është shoqëruar për në ambientet e komisariatit të Policisë së Shkodrës.

Gjatë kontrollit në banesën e 30 vjetarit nuk i janë gjetur armë, megjithatë tashmë mbi 30 vjeçarin rëndon akuza e vrasjes për gjakmarrje.

Një ditë më parë Policia e Shkodrës ka vënë në pranga shtetasin Eduart Kësolla, 30 vjeç, lindur në Nicaj, Shosh dhe banues në fshatin Grudë e Re.

Arrestimi i tij u bë për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet si autor i vrasjes së 47-vjeçarit Prekë Tonaj, për motive gjakmarrjeje.

Saga e hakmarrjeve mes tre fiseve në Shkodër

Tonaj rezulton person me precedent penal, pasi në 2011 është arrestuar sepse së bashku me 2 persona të tjerë, tentuan të vrasin një person për hakmarrje në fshatin Vuksan të Shkodrës.

Nuk dihet ende nëse kjo ngjarje e 11 viteve më parë ka lidhje me ekzekutimin e Tonajt. Megjithatë, vrasja e tij nuk është krimi i vetëm që lidhet mes konfliktit që autori dhe viktima kanë pasur.

Pal Ksolla ka vrarë Nikollë Tonaj në komunizëm në burg, ndërkohë që në vitin 1996 ai u vra po nga ky fis.

Në 2011 dyshohet se nga fisi Hasanaj është vrarë Zek Tonaj dhe është plagosur babai i tij. Zanafilla e konfliktit ka qenë për çështje votash në zgjedhje, por me pas janë konfliktuar në një urë në Dukagjin ku ka ndodhur edhe vrasja. Ndërkohë, në 2022 vritet Prek Tonaj, ndërsa të dyshuarit kryesor janë fisi Ksolla.

Vetëgjyqësia vazhdon të jetë e pranishme në vendin tonë. Kujtojmë se më 24 janar, 17-vjeçari Florian Përvathi vrau me armë zjarri 65-vjeçarin Lekë Lekgjonajn për gjakmarrje. Viktima ishte vëllai i autorit të vrasjes së babait të tij./albeu.com


Shtuar 15.02.2022 11:18