Deputeti shqiptar në Mal të Zi: Abazoviç ka shanse të bëhet kryeministër, kur “vuloset” emri

Dritan Abazoviç është emri më i përfolur për të qenë kryeministri i ardhshëm i Malit të Zi pas votimit të mocionit të mosbesimit që i hap rrugë procesit të negociatave për formimin e qeverisë së re.

Mocioni i mosbesimit u iniciua nga Lëvizja URA, udhëheqës i së cilës është  vetë zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç. Deputeti shqiptar në Mal të Zi Fatmir Gjeka, i ftuar në emisionin “Ballkan” në Abc News ka deklaruar se është hera e parë që një qeveri bie në këtë mënyrë.

“Që në fillim kemi deklaruar se kjo qeveri do të ketë jetë të shkurtër. Me rënien e qeverisë e cila ka rreth një javë që ka rënë.  Është hera e parë që një qeveri bie në këtë mënyrë. S’kemi pasur në 30 vjet një situatë të tillë politike në Mal të Zi”, tha ai.

Negociatat për formimin e qeverisë ai tha se do të vazhdojnë deri nga mesi i javës që vjen dhe sipas tij ka shumë shanse që Dritan Abazoviç të marrë mandatin nga presidenti si kryeministër i ardhshëm.

“Bisedimet janë duke vazhduar por ende s’jemi te përfundimi. Unë jam optimist që duhet të vijë deri te formimi i qeverisjes. Do të vazhdojnë bisedimet në javën e ardhshme. Kjo shumicë ashtu siç e keni bërë hyrjen tuaj, edhe kjo  qeveri duhet të ketë detyrën e saj. Deri në te enjten të kemi edhe mandatarin e ri  që do ta japë presidenti i malit të zi. Dritan Abazoviç nuk është konfirmuar ende.  Ka mundësi reale që Dritani  ta ketë mandatin nga presidenti. Por ende jemi në bisedime”, tha Gjeka.

I pyetur se çfarë përfitojnë shqiptarët nëse në krye të qeverisë së Malit të Zi vihet Abazoviç, ai u shpreh se një nga çështjet më të rëndësishme është integrimi në BE.

“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për shqiptarët. Ne kemi bë një hap pas për integrimin evropian. Pikat kryesore të kësaj qeverie do të jenë pikërisht integrimi në BE. Përfitimet janë të të gjithëve. Normal edhe për shqiptarët”. /abcnews.al