PD sulmon Berishën: Kandidatët e “Shtëpisë së Ilirit” përfaqësojnë Metën

Partia Demokratike ka reaguar pasi Sali Berisha prezantoi sot në Sukth kandidatin Ardian Muka për bashkinë e Durrësit.

Selia blu përmes një deklarate thekson se Berisha vijon të manipulojë demokratët dhe se nuk i përfaqëson ata.

Sipas PD-së, kandidatët e “shtëpisë së Ilirit” sot përfaqësojnë Ilir Metën dhe nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike. PD shton më tej se shqiptarët e dinë shumë mirë që Partia Demokratike dhe LSI janë dy gjëra të ndryshme.

Reagimi i plotë:

Sali Berisha vazhdon të manipulojë demokratët. Kandidatët e shtëpisë së Ilirit sot përfaqësojnë Ilir Metën dhe nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike.

Disa njerëz nga Shtëpia e Ilirit e kanë të vështirë të heqin dorë nga e kaluara e tyre, por çdo votë për këtë shtëpi është votë për pazarin e radhës Meta-Rama.

Shqiptarët e dinë shumë mirë që Partia Demokratike është një, dhe LSI një gjë tjetër.

Sali Berisha dhe kandidatët e tij janë tashmë pjesë e LSI-së dhe ndonëse duket që u vjen turp nga anëtarësimi në këtë parti, ata nuk i lidh më asgjë me PD, sado mashtrojnë duke përdorur emrin dhe simbolet e saj.

Demokratët e dinë se si Ilir Meta ka përdorur pushtetin dhe votat e tyre për pazarin me Edi Ramën ne 2013-ën. Sot po bën të njëjtën gjë.

Prandaj kush zgjedh Metën dhe Berishën, mban Ramën!/albeu.com/


Shtuar 6.02.2022 14:24