Mbizotëron krimi, Gledis Nano lë porositë e prera për policinë e Elbasanit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka lënë porositë për Policinë e Elbasanit gjatë diotës së sotme.

Nano ka kërkuar angazhim sa më të madh të strukturave të policisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe zbardhjes së ngjarjeve.

Njoftimi:

Elbasan – Në kuadër të një analize vjetore në qytetin e Elbasanit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano ka dhënë edhe porositë e tij për strukturat në këtë qytete.

Drejtori i Përgjithshëm Nano është shprehur se do punohet për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, kapjen e autorëve dhe të personave në kërkim.

Po në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano ka kërkuar angazhim akoma më shumë nga strukturat e Policisë, rritjen e forcës goditëse dhe zbuluese, zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë dhe kapjen e autorëve, parandalimin e kultivimit të kanabisit, duke treguar zero tolerancë në parandalimin e krimit dhe goditjen me ashpërsinë e ligjit, të atyre që ushtrojnë veprimtari kriminale në çdo fushë, duke sjellë pasoja për jetën dhe pronën e qytetarëve.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm u ka kërkuar strukturave vendore që të grumbullojnë informacion, duke bashkëpunuar me qytetarët, për vendndodhjen e personave në kërkim dhe me ndihmën e Forcave Operacionale në PSH, të realizohet kapja e tyre.

Nano ka siguruar strukturat se do të kenë në dispozicion ekspertët më të mirë të hetimit të krimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me qëllim bashkërendimin e punës dhe me Prokurorinë e Rrethit, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.