Kokainë, vjedhje e kallëzime të rreme, 6 të arrestuar në Durrës

Policia në Durrës ka vënë në pranga 6 shtetas, 2 prej të cilëve ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale duke filluar nga posedimi i lëndëve narkotike, kallëzime të rreme dhe vjedhjet.

Njoftimi i policisë:

Vihen në pranga 6 shtetas, 2 prej tyre të shpallur në kërkim.

Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin M. A., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në DVP Durrës bënë ndalimin e shtetasit në kërkim M. P., 29 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, me vendimin e datës 18.12.2020, e ka dënuar me 15 ditë burg për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në DVP Durrës u arrestua

në flagrancë shtetasi F. K., 33 vjeç, banues në Maminas, pasi u kap duke vjedhur disa pajisje në dyqanin e shtetasit B. H.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës ndaluan shtetasin në kërkim V. A., 38 vjeç, për veprën penale “Kallëzim i rremë”, pasi ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, shtetasit: B. Sh., 29 vjeç dhe A. K., 37 vjeç, pasi u kapën nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetet, në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 17.01.2022 10:21