Skandali me gjyqtarin në Kupën e Afrikës, vjen shpjegimi qesharak: I kishte rënë dielli në kokë

Kupa e Afrikës ka dhuruar këtë të mërkurë një skandal të mirëfilltë mbi mënyrën se si u drejtua ndeshja Mali-Tunizi nga gjyqtari Jani Sikazue.

Ky i fundit gaboi duke mbyllur dy herë ndeshjen para kohe, ndërsa për të nuk munguan akuzat edhe për korrupsion, duke kujtuar të kaluarën e tij me veprime të ngjashme skandaloze.

Federata Tuniziane ka bërë një notë proteste kundër tij, duke kërkuar drejtësi. “Nuk jemi fëmijë, do të bëjmë çfarëdo që të jetë e nevojshme që të mbrojmë të drejtat e ekipit kombëtar”, u shpreh një nga drejtuesit e Tunizisë pas këtij skandali.

Në CAF, Konfederatën Afrikane të Futbollit, janë munduar të justifikojnë gjyqtarin, por kanë përkeqësuar më shumë gjërat. “Gjyqtarit i ra dielli në kokë dhe kjo ndikoi vendimet e tij në fushën e lojës”, tha Esam Abdul Fatah, funksionar i sektorit të gjykimit në CAF. “Pas ndeshjes, duhej të shkonte në spital, pasi bënte shumë vapë’, ishte justifikimi i tij për atë që kishte ndodhur në fushën e lojës.


Shtuar 13.01.2022 22:26