Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këllici, këtë të mërkurë ka qenë i ftuar në ABC Live ku ka komentuar dhunën e përdorur në selinë blu.
Këlliçi tha se dhuna nisi nga brenda selisë blu nga mbështetësit e Lulzim Bashës.
Sipas Këlliçit situata u doli jashtë kontrollit organizatorëve të protestës pasi protestuesit panë dyert e blinduara të vendosura nga Basha.
“Unë nuk e kuptoj se çfarë duan njerëz shqiptarë të Kosovës dhe të Kumanovës që të futen në selinë e PD-së. Nuk besoj se dyert e blinduara hapen me lule dhe me parakalim ndaj dhe kishim shkopinj. Protesta ka nisur më herët pasi demokratët nuk e kanë besuar se në seli ka pasur dyer të blinduar ato janë revoltuar dhe situata ka dalë jashtë kontrollit të organizatorëve. As në ’97 nuk ka pasur dyer të blinduara në PD ku ne ishim përballë kriminelëve.
Mua nuk më vjen mirë që kam qenë aty pjesë e asaj dhune por që duke menduar helmimin me gaz kundrejt thyerjes së xhamave nuk është asgjë. Lloji i sprait që është hedhur hidhet për arinjtë dhe jo për njerëzit, ky trajtim është bërë ndaj demokratëve, ato që viktimizohen sot, atë ditë festonin brenda selisë. Çfarë festonin helmimin dhe dhunimin e demokratëve? Ato që festonin dhe brohorisnin Lulzim Basha nuk ishin anëtarë të Partisë Demokratike.
Prokuroria nëse do që të jetë e paanshme në dijeninë tim unë kam informacion se ajo disponon serverin e pamjeve çfarë ndodhi brenda dhe nëse duan të bëjnë transparencë le të bëjnë publike pamjet e datës 7 dhe 8 janar. Në godinë ka pasur kriminelë dhe të dënuar për krime të ndryshme. Nuk ka SHBA që të përkrah për futjen në seli kriminelë dhe jo të deputetëve” , ka thënë Këlliçi.
Ndër të tjera ai ka komentuar edhe deklaratën e diplomatit amerikan Escobarit, i cili dënonte dhunën e përdorur në selinë e Partisë Demokratike.
Deputeti ka theksuar se deklaratën e tij ai e thotë dhe dënon qartë dhunën e përdorur nga Basha, pasi demokratët nuk e duan dhunën por duan zgjidhjen me votë.
Sipas tij është shumica që vendos për atë që do të ndodhë në parti dhe jo gjykata.
“Deklarata e Escobarit ishte në mbështetje të shumicës së demokratëve të cilët nuk duan dhunë. Dhuna është përdorur si nga brenda dhe jashtë, por atë ditë ka fytyrën e Lulzim Bashës. Ka katër muaj që ushtrohet dhunë në selinë e PD-së, pasi nuk njihet baza e PD-së, kuvendi, referendumi, deputetet nuk lejohen të futen në godinë. Nuk e vendos gjykata atë që e vendos shumica në parti. Ne jemi shumë të qartë se në 31 vite ajo nuk ka bërë interpretimin e votimit.
Deklarata e Escobarit është mesazh i qartë për Bashën. Unë njerëz me precedentë kriminal i kam parë brenda selisë, dhe i kam dërguar një letër dhe ambasadës së SHBA-së pasi kur kam shkuar në zyrë kam parë se më janë marrë sendet e mia personale dhe prishur bravat e zyrës. Dhuna e asaj dite nuk bën krenar asnjë demokrat. Krizën politike që ne kemi brenda partisë hajde ta zgjidhim me votë. Basha duhet që të futet në proces dhe të shikojmë kush do të jetë në mazhorancë”, është shprehur ndër të tjera deputeti demokrat./albeu.com/