Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të flasë të enjten për rëndësinë historike të sulmit të vitit të kaluar në Kapitol, nga mbështetësit e ish-presidentit, Donald Trump.
Në njëvjetorin e sulmit, presidenti Biden pritet të flasë në sallën e statujave në Kongres, në një paraqitje të përbashkët me zëvendëspresidenten Kamala Harris.
“Presidenti do të flasë për të vërtetën e asaj që ndodhi, jo për gënjeshtrat që disa kanë përhapur që atëherë dhe për rrezikun që sulmi ka paraqitur për sundimin e ligjit dhe sistemin tonë të qeverisjes demokratike”, u tha të martën gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Ajo tha se presidenti “do të përkujtojë heronjtë e 6 janarit, veçanërisht trimërinë e burrave dhe grave të forcave të rendit, që luftuan për të mbrojtur Kushtetutën, për të mbrojtur Kapitolin dhe jetët e njerëzve që ishin aty. Për shkak të përpjekjeve të tyre, demokracia jonë i rezistoi sulmit të një turme dhe vullneti i më shumë se 150 milionë njerëzve që votuan në zgjedhjet presidenciale, u vërtetua përfundimisht nga Kongresi”.
Turma e mbështetësve të ish presidentit Trump sulmoi selinë e Kongresit ndërsa ligjvënësit po mblidheshin për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit të vitit 2020, duke mposhtur oficerët e policisë së Kapitolit, duke thyer dritaret dhe dëmtuar ndërtesën historike dhe duke i detyruar ligjvënësit të kërkonin strehim për shkak të sigurisë së tyre.
Kongresi nxiton të mbyllë hetimet për sulmin e 6 janarit përpara zgjedhjeve të nëntorit
Vetëm disa orë më vonë, pasi agjencitë federale të zbatimit të ligjit dhe ushtria arritën të rivendosin situatën nën kontroll, anëtarët e Kongresit qenë në gjendje të përfundojnë punën e tyre, të vërtetojnë fitoren e zotit Biden në zgjedhje dhe të përgatisin terrenin për inaugurimin e tij javë më vonë.
Katër persona vdiqën ditën e sulmit, duke përfshirë një oficer policie të Kapitolit që vdiq të nesërmen. Turma plagosi dhjetëra oficerë dhe në muajt pas sulmit katër oficerë kryen vetëvrasje.
Donald Trump kishte planifikuar të mbante një konferencë shtypi të enjten në Florida, por të martën tha se po e anulonte atë. Në një deklaratë ku përsëriti pretendimin e tij të rremë se ai në fakt fitoi zgjedhjet e vitit 2020, zoti Trump tha se në vend të konferencës, do të diskutojë “tema të rëndësishme” në një tubim të 15 janarit në Arizona.
Carl Tobias, një profesor në Shkollën Juridike të Universitetit të Richmondit, i tha agjencisë së lajmeve France-Presse se fushata e zotit Trump është “e pashembullt në historinë e Shteteve të Bashkuara”.
“Asnjë ish president nuk është përpjekur të bëjë kaq shumë për të diskredituar pasardhësin e tij dhe procesin demokratik”, tha profesori Tobias.
Sondazhi: Demokracia në SHBA e kërcënuar
Anketat opinionit publik kanë treguar se rreth 70 për qind e republikanëve nuk e konsiderojnë të ligjshme fitoren e presidentit Biden./VOA/