Prioritetet për uljen e barrës administrative dhe modernizimin digjital të administratës publike ishin në qendër të diskutimeve mes Kosovës dhe Gjermanisë, të zhvilluara në kuadër të konsultimeve ndërqeveritare për bashkëpunim zhvillimor.
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, zhvilloi takim me përfaqësues të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Ambasadës Gjermane dhe GIZ-it.
Të lidhura
None found
Gjatë bisedës u shqyrtua edhe mundësia që mbështetja gjermane për këto procese të vijojë edhe në vitet e ardhshme, ndërsa vëmendje iu kushtua integrimit të sistemeve të krijuara me platformën eKosova.
Përmes një projekti të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga GIZ-i, Gjermania ka ndihmuar zbatimin e programit për zvogëlimin e barrës administrative. Në kuadër të këtij programi janë digjitalizuar shumë shërbime dhe janë ndërtuar sisteme për licencimin e profesioneve të ndryshme, njohjen e diplomave, shërbimet e punësimit dhe menaxhimin e rasteve.
Programi ka mundësuar gjithashtu thjeshtimin e më shumë se 730 shërbimeve administrative në nivel qendror dhe lokal. Paralelisht, ka nisur testimi i ofrimit të shërbimeve publike të organizuara sipas ngjarjeve të jetës, me shërbimet për lindjen e fëmijës si fazë e parë.
Një tjetër zhvillim i përmendur gjatë takimit ishte testimi në Administratën Tatimore të Kosovës i asistentit të parë digjital të bazuar në inteligjencën artificiale.
Lulëzon Jagxhiu prezantoi edhe drejtimet kryesore të transformimit digjital, mes të cilave është lansimi i platformës kombëtare të identifikimit elektronik (eID). Kjo platformë do të ofrojë autentikim të fortë elektronik, nënshkrim dhe vulë elektronike, si dhe kuletë digjitale.
Në përfundim, ministri shprehu mirënjohjen ndaj Qeverisë Gjermane dhe GIZ-it për kontributin në modernizimin e administratës publike dhe zhvillimin e transformimit digjital në Kosovë.







