Greva e përgjithshme 24-orëshe, e organizuar nga sindikata USB, nxori protestues në rrugët e 70 qyteteve italiane këtë të premte. Organizatorët thanë se mbi 1 milion persona morën pjesë në tubime, duke kundërshtuar shtrenjtimin e jetesës, pagat e ulëta dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake.
Tensionet u shfaqën në Romë, Milano, Torino dhe qytete të tjera. Në kryeqytet, protestuesit hodhën sende në drejtim të policisë, ngritën barrikada dhe u përpoqën të kalonin kordonin e forcave të rendit për t’iu afruar Parlamentit. Gjatë tubimeve në Romë u arrestuan tetë persona.
Të lidhura
None found
Ndërprerje të qarkullimit pati edhe në disa qytete. Në Milano, protestuesit bllokuan për disa orë Tangjencialen Lindore; në Bologna u mbyllën për rreth tre orë tangjencialja dhe një pjesë e autostradës A1. Bllokime u raportuan në Torino, ndërsa në Genova u pengua hyrja në port.
Në Torino, pas incidenteve në sheshin Castello, policia ndaloi dy persona. Në Firence, ndërkaq, mijëra njerëz morën pjesë në një protestë paqësore.
Greva përfshiu edhe shëndetësinë, por shërbimet minimale dhe urgjencat mjekësore u mbajtën në funksion.
Mobilizimi u zhvillua mes mosmarrëveshjeve me qeverinë. Ministri i Transportit, Matteo Salvini, kishte urdhëruar shtyrjen e grevës, por USB e kundërshtoi vendimin dhe vazhdoi protestat.




