Kovaçevski takohet me Gashin e Trajanovin: Nëse nuk merremi vesh, nuk do të votojmë!

Mandatari për Qeverinë e Re, Dimitar Kovaçevski, në selinë e LSDM-së, ka pritur sot në takim kryetarin e Altrenativës Afrim Gashin, ndërsa kanë folur për planin qeveritar për shtet me orientim evropian dhe progresiv.

“Duke ia uruar detyrën e re kryetarit të posazgjedhur të socialdemokratëve, z. Kovaçevski, mes tjerash folëm edhe për të ardhmen e shtetit dhe planin qeveritar për shtet me orientim europian dhe progresiv. Alternativa, si pjesë e qeverisë së re, do të jetë e përkushtuar në avancimin e shtetit drejt familjes europiane dhe ndërtimin e shtetit progresiv”, tha Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

E Kovaçevskin sot e takon edhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, sipas të cilit mandatari i ri duhet ta informojë për ministrat e ri që do të jenë në Qeverin e re. Trajanov gjithashtu tha se do të kërkojë që të formohet një Agjenci e re për krimin e organizuar, drejtori i së cilës nuk duhet të zgjidhet nga politika.

“Po duhet të na informoj për emrat e rinj që nuk janë të njohur, sepse mbështetja jo vetëm e LSDM-së por edhe partive tjera ashtu do të varet përbërja kadrovike e Qeverisë. Nëse ka propozime që nuk mund t’i mbështesim atë publikisht do të themi”, tha Pavle Trajanov, kryetar LD.

Po çka nëse nuk do të merren vesh?

“Nëse nuk mëremi vesh, nuk do të votojmë është e thjeshtë”, pohoi Pavle Trajanov.

Kovaçevski pritet që deri të hënën ta informojë bordin e partisë për kuadrot e reja që do jenë pjesë e Qeverisë. Përveç largimeve do të ketë edhe rokada. Kështu ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq me shumë gjasa do të ulet në kolltukun e zëvendëskryeministrit për eurointegrime. Thuhet se ish-kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov do të jetë ministër i Transportit dhe Lidhjeve. Jozyrtarisht, burime partiake nga “Bihaçka” thonë se nënkryetarja e re e partisë, deputetja Bisera Kostadinova-Stojçeva do të jetë ministrja e re e Kulturës, duke shtuar se me bujqësinë do ta menaxhojë zëvendësi i deritanishëm, Trajan Dimkovski. Edhe pse dolën informacione se drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sanja Llukarevska do të jetë zëvendëskryeministre për luftë kundër korrupsionit, ajo konfirmoi se do të qëndrojë në krye të DAP-it.

 


Shtuar 5.01.2022 18:48