Gjatë një surprize të organizuar për fëmijët me rastin e Halloweenit, avioni presidencial amerikan Air Force One kaloi dy herë në lartësi të ulët mbi Shtëpinë e Bardhë. Fluturimi solli një pezullim të përkohshëm të trafikut ajror dhe shkaktoi vonesa në 202 fluturime.
Manovra u zhvillua ndërsa presidenti amerikan Donald Trump po organizonte një festë për fëmijët në rezidencën presidenciale. Shtëpia e Bardhë publikoi në rrjetet sociale pamjet e avionit mbi ndërtesë, duke e përshkruar kalimin e tij si një spektakël për pjesëmarrësit e aktivitetit të Halloweenit.
Të lidhura
None found
Por ajo që u paraqit si një shfaqje festive shkaktoi shqetësime në Uashington. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) mbylli përkohësisht Aeroportin Kombëtar Reagan, një prej nyjeve kryesore ajrore të kryeqytetit amerikan.
Autoritetet lokale, aeroporti dhe banorët u njoftuan vetëm 15 minuta para realizimit të fluturimit. Edhe kompanitë ajrore bënë të ditur se informacioni u kishte mbërritur më pak se një orë përpara ngjarjes.
Këshilli i Qytetit të Distriktit të Kolumbias e kundërshtoi publikisht këtë mënyrë njoftimi përmes një postimi në rrjetet sociale. Sipas këshillit, paralajmërimi i vonuar i zuri në befasi shumë njerëz, mes tyre edhe anëtarët e tij.
Pasagjerë të ndryshëm thanë se avionët që po udhëtonin drejt Uashingtonit u devijuan nga rruga e planifikuar ose u mbajtën në ajër derisa trafiku të rikthehej në normalitet.
Të dhënat e FlightAware treguan se vonesa pati në 26% të fluturimeve në nisje dhe në 17% të fluturimeve në mbërritje. Në total, u prekën 202 fluturime, kryesisht për shkak të ndalimit të përkohshëm të operacioneve në aeroport.
Kalimet e Air Force One mbi zona të ndryshme të Shteteve të Bashkuara janë të zakonshme gjatë aktiviteteve ku merr pjesë Donald Trump, veçanërisht në evente të mëdha sportive. Megjithatë, fluturimi i Halloweenit mbi Shtëpinë e Bardhë pati këtë herë ndikim të drejtpërdrejtë në trafikun ajror të Uashingtonit.





