Basha bën paralajmërime për “non grata”: Do t’u vijë radha edhe brinjëve të tjera të Trekëndëshit të Bermudës

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka paralajmëruar mbrëmjen e sotme në studion e emisionit “Open” për shpallje “non grata”, duke thënë se do t’u vijë radha dhe brinjëve të tjera të Trekëndëshit të Bermudës.

“Unë nuk jam masha e askujt dhe këtë e kam provuar me akte, jo me fjalë. Kur u zbardhën shumë veta nga deklarata e ambasadores amerikane para djegies së mandateve, dola ua thash edhe shqip edhe në anglisht, citimin e Linkolnit, këtu ke qenë. Kur unë kam bindjen se në lojë janë interesat kombëtare, interesat e Shqipërisë, interesat e demokratëve, nuk ka gjë përveç Zotit të më ndalojë mua. Dhe këtë e kam dhënë me prova. Dhe këtu ishin interesat e demokratëve. Dhe para interesave të demokratëve dhe interesave të Sali Berishës, kam zgjedhur dhe do të zgjedh gjithmonë interesat e demokratëve. Institucionet amerikane e kanë shpallur non grata. Pa pikë diskutimi në proporcionalitet dhe në kontekst, edhe Edi Rama duhej të ishte shpallur prej kohësh non grata. Se kur do shpallet, si do shpallet, këtë se di as unë as ti. Por një gjë dihet, që vendimin e shpalljes non grata të Sali Berishës, as nuk e kontrollon as nuk e ndikon dot, as Partia Demokratike, as unë as ti. E vetmja gjë që kam në dorë unë dhe e vetmja për të cilën jam përgjegjës para demokratëve është ta mbroj interesin e demokratëve apo ta thërrmoj interesin e demokratëve? Të jesh i sigurt që Partia Demokratike po nis një udhëtim për fatin tënd të keq dhe për fatin e keq të Edi Ramës, pa peshat e të kaluarës, pa mbetjet e komunizmit, pa mbetjet e katovicës, pa mbetjet e korrupsionit dhe do të zgjedh të ardhmen. Dhe në këtë moment, për fat të keq nuk do të ndodh ajo që do ti prej kohësh, shkatërrimi i Partisë Demokratike, por do të ndodh transformimi i Partisë Demokratike siç e duan shqiptarët, si shpresa e vetme për të përmbysur këtë status quo dhe këtë karusel dhe këtë trekëndësh të Bermudës që mbajnë njëri-tjetrin në këmbë duke i pirë gjakun shqiptarëve”, tha Basha./albeu.com