Do i nënshtrohet operacionit, sa do të qëndrojë jashtë fushave Memushaj

Ky është një sezon i pafat dhe për t’u harruar sa më shpejt. Bëhet fjalë për Ledian Memushajn. Mesfushori i Kombëtares do të kryejë sot një ndërhyrje kirurgjikale në gju, për të shmangur dhimbjet dhe shqetësimet që e ndjekin prej kohësh. Mediat italiane bëjnë me dije se futbollisti i Kombëtares do të kryejë nesër ndërhyrjen nga profesor Vinçenco Salini, shefi i stafit mjekësor në skuadrën e “Delfinëve” si dhe ortopedi kryesor në spitalin “San Rafaele”.

Me këtë ndërhyrje për pastrimin e gjurit, sezoni për mesfushorin vlonjat përfundon këtu dhe koha e rikuperimit pritet të variojë nga 4 muaj deri në gjashtë të tillë. Ledian Memushaj pati dëmtim dhe shqetësime në gju edhe në fazën e parë të sezonit dhe u gjet një zgjidhje mjekësore pa ndërhyrje kirurgjikale për shmangien e dhimbjeve. Lojtari kreu periudhën e rikuperimit. Sapo u kthye në fushë për të kërkuar kapjen e formës më të mirë, kaloi COVID-in dhe u desh të qëndronte afro 30 ditë në karantinë, për shkak se i zgjati së tepërmi periudha që rezultonte pozitiv.

Tani që lojtari u rikthye, ishte edhe në ndeshjet e fundit të Kombëtares, atij i përsëriten edhe një herë tjetër dhimbjet në gju. Para ndeshjes në San Marino, Memushaj u testua dhe u njoftua fillimisht në formacionin titullar, mirëpo pak minuta para nisjes së ndeshjes u bë edhe largimi i tij nga protokolli, për shkak të gjendjes fizike të pamundur.


Shtuar 8.04.2021 11:08