“Më premtoi që s’do ma lëshonte dorën”, mesazhet e fundit të Huyedës me shqiptaren e Luksemburgut

Ndarja nga jeta papritmas e artistes shumë dimensionale Hueyda El Saied tronditi opinionin publik, por mbi të gjitha të afërmit dhe të dashurit e saj. Një nga mikeshat më të ngushta në Luksemburg, Lumturije Ahmetxhekaj ishte e ftuar në ‘Abc e Pasdites’, ku rrëfeu momentet e fundit me El Saied por dhe miqësinë mes njëra tjetrës.

“Unë të premten fola me të, zërin e kishte perfekt. I thashë se do shkoja ta takoja. Më tha që kishte kontroll dhe të shkoja të martën ta takoja. Të martë u bëra gati të shkoja ta shihja, më kanë ardh mesazhe pa kufi. Unë u habita, s’është e mundur thashë. Më kishte premtuar që s’do ma lëshonte kurrë dorën dhe shpirtërisht më ka ngritur shumë lart.” – shprehu mes emocionesh Lumturija, mbi bisedën e fundit të tyre.

Mes Lumturijes dhe Hueydën ekzistonte një dashamirësi e madhe, e shtyrë më tepër nga nevoja për të pasur dikë në krahë sipas estetistes. Ishte një mesazh i dërguar krejt rastësisht nga Ahmetxhekaj që i bëri bashkë. Ajo shprehu se Hueyda i ka dhënë shumë shpresë në jetë dhe pozitiviteti i saj rrezatoi deri në momentet e fundit.

“Guxova t’i shkruaja Hueydës. Ajo merrte shumë komente, ishte momenti kur ajo preu flokët. Dhe vendosa t’i dërgoja një mesazh ku i thashë që më pëlqente më shumë me flokët e shkurtra. I thashë se doja ta takoja sepse më pëlqente që kur isha e vogël. Ajo më ktheu përgjigje dhe më tha se isha e vetmja që i kisha komentuar pozitivisht. Unë doja thjesht të komunikoja me të.”

Lumturija tha se Huyeda ishte energjike pavarësisht peshës emocionale dhe dhimbjes fizike që mbante mbi veten.

 


Shtuar 7.12.2021 19:13