Bisedimet bërthamore me Iranin, palët optimiste për marrëveshje

Përfaqësuesit e Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Mbretërisë së Bashkuar u mblodhën në Vjenë këtë të hënë, për të diskutuar me Iranin mbi një marrëveshje të re bërthamore.

Kujtojmë se marrëveshjen e vitit 2015, të nënshkruar nga administrata Obama, e braktisi administrata e ish-presidentit Trump.

Në mbledhjet që po zhvillohen tani, Shtetet e Bashkuara nuk marrin pjesë. Mesazhet do t’u transmetohen përfaqësuesve amerikanë nga palë të treta, ngaqë Irani përsëri refuzoi të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta, pasi sipas tyre, SHBA-të nuk janë më anëtarë të marrëveshjes.

Pjesëmarrësit në takim pritet të bien dakord për një udhërrëfyes të përgjithshëm për të ardhmen e negociatave. Më herët janë zhvilluar gjashtë raunde bisedimesh të cilat u ndërprenë në qershor për të lejuar presidentin e zgjedhur të Iranit Ebrahim Raisi të formojë administratën e tij.

Disa takime jozyrtare, duke përfshirë një takim trepalësh midis Iranit, Kinës dhe Rusisë, dhe një tjetër midis negociatorit të lartë të Iranit Ali Kani dhe Enrique Mora të Bashkimit Evropian, u mbajtën të dielën për të vendosur piketat kryesore në negociata.

Nëse bisedimet rezultojnë të suksesshme, amerikanët do të heqin sanksionet e tyre për Iranin dhe Irani ndërkaq do të zotohet për reduktimin e programit të tij bërthamor./albeu.com/


Shtuar 29.11.2021 14:02