Haradinaj: Në dy raundet fituam 5 komuna

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se partia e tij ka fituar pesë komuna në dy rundet e zgjedhjeve lokale.

Haradinaj tha se në rundin e dytë të zgjedhjeve, që u mbajtën të dielën, AAK-ja ka fituar tri komuna dhe është në pritje të rezultateve përfundimtare edhe në dy komuna.

“AAK-ja e ka rikonfirmuar besimin politik dhe fuqinë e saj politike në tri komuna. Pra e kemi konfirmuar fuqinë politike në Gjakovë, Rahovec dhe Klinë. Jemi në pritje të rezultatit përfundimtar në Junik ku është një rezultat mjaft i ngushtë. Njëkohësisht presim rezultatin në Istog”, tha Haradinaj, duke shtuar se në rundin e parë veçse kanë fituar në Suharekë dhe Deçan.

Sipas rezultatit preliminar, në Junik fitues është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës me një diferencë prej 29 votash. Haradinaj tha se në këtë komunë presin fitore pas numërimit të votave me kusht edhe atyre nga diaspora.

Sipas kreut të AAK-së, kjo parti do të bashkëqeverisë edhe në të paktën gjashtë komuna të tjera, përmes koalicioneve lokale./REL


Shtuar 14.11.2021 22:09