Grabitja e biznesmenit në Nikël, gjykata vendos burg për një nga autorët

Gjykata e Krujës ka caktuar ditën e sotme masën e sigurisë “arrest me burg” për një nga autorët e dyshuar të grabitjes së biznesmenit Nazmi Çangu në Nikël të Krujës.

Saimir Kuçi do të qëndrojë në burg pa afat.

Kujtojmë se biznesmeni u grabit më 24 nëntor, orët e para të mëngjesit. Dyshohet se autorët e vjedhjes ishin dy, të cilët hynë nga pjesa e pasme e banesës, duke prerë telat rrethues në dy vende të ndryshme.

Ata grabitën para dhe sende me vlerë të cilat arrinin vlerën e 120 mijë eurove.

Prokuroria e Krujës lëshoi fillimisht 4 urdhër-ndalimi, mes të cilëve edhe për Saimir Kuçi, lidhur me grabitjen dhe dhunimin e biznesmenit Nazmi Çangu.

Kuçi nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi është arrestuar edhe më parë pikërisht për grabitjet dhe vjedhjen e disa kasafortave dhe bizneseve në Tiranë dhe qytetet të tjera të vendit./albeu.com