Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në një konferencë të zhvilluar për mediat tha se ekonomia shqiptare është ende në një fazë rimëkëmbjeje.
Më tej u shpreh se Banka e Shqipërisë do të punojë me standardet e BE-së për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar.
“Konstatoj se Banka e Shqipërisë dhe misioni i FMN-së ndajnë pikëpamje të ngjashme në lidhje me zhvillimet ekonomike. Të dhënat e përfituara gjatë 9 muajve të parë të vitit tregojnë se ekonomia është në rimëkëmbje dhe është e mbështetur nga një gamë e gjerë faktorësh. Masat e marra reduktuan barrën financiare të goditjes për bizneset dhe familjet shqiptare duke i dhënë atyre frymëmarrje.
Po ashtu reforma strukturore e ndërmarrë gjatë viteve të fundit ka dhënë frytet e saj dhe arritëm konsolidimin e sektorit bankar. Stimuli monetar do të vijojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme për rikuperimin ekonomik. BSH do të mbetet e vëmendshme për të vlerësuar ndikimin e ekonomisë tonë. BSH do të punojë me standardet e BE-së për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar dhe përmirësimin e mëtejshëm për sistemin e pagesave”, tha Sejko.