Fitorja në Budapest e ka shtuar optimizmin në kampin kuqezi. Sprova e radhës është Polonia, e cila vjen në Tiranë me qendërsulmuesin më të mirë në kontinent për momentin, Robert Lewandowski. Pikërisht nga ai duhet të kemi më tepër frikë.
Dëmtimi i Gjimshitit lë një boshllëk të konsiderueshëm në prapavijë, sepse ai ishte më i mundshmi për t’u “kacafytur” me bomberin e Bayern Munich. Dhe meqë jemi te Polonia, ia vlen të kthehemi pas në histori.
Kjo kombëtare na ka lënë jashtë Botërorit, teksa na mundi 1-0 në “Qemal Stafa”, në vitin 1985. Asokohe, polakët kishin një tjetër yll të madh në përbërje, Zbigniev Boniek. Shqipëria kishte më pak se një muaj që kishte humbur diktatorin Enver Hoxha.
Për pasojë, ndeshja Shqipëri-Greqi nuk u luajt dhe u shty për në tetor. Më 30 maj do të zhvillohej Shqipëri-Poloni, kualifikuese për Botërorin “Meksikë 1986”. Shorti i asaj fushate eliminatoresh na kishte vënë përballë kundërshtarësh mjaft të vështirë, si Belgjika e Schifo, Polonia e Boniek dhe Greqia.
Meqë jemi në prag të sfidës vendimtare ndaj polakëve, po fokusohemi te dy ballafaqimet e asaj kohe me ta. Në Mielec, më 31 tetor 1985, u luajt Poloni-Shqipëri 2-2 (Smolarek 23’, Palaz 76’ / Omuri 54’, A.Kola 79’). Një barazim befasues për kombëtaren që drejtohej nga Shyqyri Rreli dhe ndihmës Medin Zhega.
Në dhjetor të atij viti do të shkëlqenin kuqezinjtë, duke mposhtur në Tiranë kombëtaren belge, me rezultatin 2-0 (Josa 69’, Minga 86’). Ky rezultat befasues edhe për opinionin sportiv europian na vuri në pozita komode për t’u kualifikuar në fazën finale të Botërorit meksikan.
Sidoqoftë, do të ishte Polonia, ajo që do të na i vriste ëndrrat përfundimisht, teksa na mundte 1-0 në “Qemal Stafa”. Sikurse shihet, ish-ylli i Juventusit, Boniek, sot president i Federatës Polake të Futbollit dhe zv.president i UEFA-s, na i shujati ëndrrat e Botërorit asokohe. Në fakt, ai nuk pritej të vinte në Tiranë, sepse kishte ndeshje me Juventusin në Ligën e Kampionëve një ditë përpara. Po çfarë ndodhi?
Nuk ishin mbushur akoma 24 orë nga nata e frikshme e “Heysel”. Më 29 qershor, me finalen Juventus-Liverpool, historia e futbollit mbylli përgjithnjë një kapitull të saj. Protagonisti në ngritjen e trofeut të parë të Kupës se Kampioneve për Juventusin ishte polaku Zbigniev Boniek, i cili, fitoi penalltinë që u shndërrua në gol nga Michel Platini.
Menjëherë pas ndeshjes, gjatë asaj nate të kobshme europiane me 40 viktima, Boniek do të nisej me një fluturim çarter për të mbërritur në Tiranë. Pak pas dreke, Polonia do të luante në Tiranë ndaj Shqipërisë, finalen e madhe në grup për eliminatoret e Kupës së Botës “Meksikë 1986”.
Ose Polonia do shkonte në Meksikë, ose Shqipëria. Boniek do të shënonte në “Qemal Stafa” të vetmin gol të polakëve në fitoren 0-1. Për fatin e keq të Shqipërisë, ëndrrat për pjesëmarrje në Botërorin e Meksikës u venitën përfundimisht me atë humbje.
Kurrë më parë dhe as më pas, kombëtarja jonë nuk ka qenë kaq pranë një suksesi të tillë të madh. Sërish në rrugë, si pengesë serioze, na del Polonia. Kësaj here me Lewandowskin si tmerrin me të madh të çdo mbrojtjeje. Dhëntë Zoti që historia e 1985 të mos përsëritet!
E enjte, 30 maj, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”, ora 17:00
SHQIPËRI-POLONI 0-1
SHQIPËRIA: Musta, Zmijani, Hodja, Targaj, Omuri, Jera, Muça (Mile 60′) Demollari (Marko 81′) Josa, Minga, Kola. Trajner: Sh. Rreli
POLONIA: Minarcik, Pavlak, Vojciski, Pshebes, Ostrovski, Matilshik, Boniek, Urban (Taraseviç 87′), Xhekanovski, Boniek, Smolarek. Trajner: A. Piehnicek
SHËNUES: Boniek 24′
ARBITRA: Zhezhov, Jerimov, Dotcev nga Bullgaria
SPEKTATORË: 17 000