Afganët në Shqipëri, Rama: Na ofruan para për të ndërtuar kamp refugjatësh por refuzuam

Kryeministri Edi Rama gjatë qëndrimit të tij në Slloveni ka dhënë një intervesitë dhe për televizionin kombëtar gjerman, ku ka folur për integrimin në BE, pranimin e afganëve dhe qeverinë e re.

Në lidhje me afganët, Rama ka thënë se qeverisë i janë ofruar para për të ndërtuar një kamp refugjatës, por është refuzuar. Sipas kreut të qeverisë, kampet e refugjatëve janë çjerëzore.

“Kampet e refugjatëve janë çnjerëzore. Mendoj se ato janë një nga arsyet pse komunitetet përreth trazohen, kur njerëzit i shohin refugjatët në afërsi të tyre të mblidhen nëpër kampe. Kur vijnë shumë njerëz, ndonjëherë duhen ndërtuar edhe kampe, por në rastin tonë ne morëm një vendim. Edhe pse na u ofruan para për të ndërtuar kamp për refugjatët, refuzuam. Në këtë rast bëmë të njëjtën gjë që bëmë për njerëzit tanë, kur vendi ynë u godit nga tërmeti i tmerrshëm më 26 nëntor 2019”, tha Rama ndër të tjera.

Intervista e plotë:

 

Kryeministri i Shqipërisë Rama u zgjodh kreu i qeverisë për herë të tretë. Ka qenë në titujt kryesorë në mediat ndërkombëtare, sepse ka më shumë gra sesa burra në kabinetin e tij dhe ka ofruar të pranojë katër mijë refugjatë nga Afganistani. Vetëm hyrja në BE nuk po ecën mirë.

Kryeministër Rama, ju po vini nga Sllovenia, nga samiti i BE -së dhe praktikisht kishte shtrëngime duarsh dhe fjalë të këndshme. Jeni të zhgënjyer?

Rama: Jo, sepse në të vërtetë nuk prisja asgjë tjetër. Në të kaluarën do të ishim të zhgënjyer, por kemi mësuar se Evropa nuk është në formën e saj më të mirë dhe ne e kuptojmë këtë, prandaj thjesht vazhdojmë punën tonë. Siç e dini, ne duhet të krijojmë patjetër një Shqipëri që mbart të njëjtat vlera dhe standarde si Bashkimi Evropian. Dhe jo sepse Berlini, Parisi, Brukseli na detyrojnë, por sepse kjo është ajo që ne do duam për fëmijët tanë.

Angela Merkel është një nga mbështetëset tuaja dhe është për zgjerimin e BE -së. Do t’ju mungojë ajo?

Rama: Unë besoj se Angela Merkel do t’i mungojë Gjermanisë e të gjithë Evropës, madje krejt botës dhe mendoj se edhe rajonit tonë do t’i mungojë… Ndoshta edhe për shkak të së kaluarës së saj ajo ka një vizion të Ballkanit. Ajo e di se çfarë do të thotë të dalësh nga diktatura, nga një diktaturë komuniste. Dhe sigurisht ajo ka bërë gjithçka në mundësitë e saj për Evropën, duke hapur derën për refugjatët. Sidoqoftë, pas krizës së refugjatëve, as Gjermania as  Bashkimi Evropian nuk janë më të njëjtët.

 Ju ofruat një vend strehimi për katër mijë refugjatë afganë dhe ata nuk jetojnë në kampe, por në hotele në plazh. Sa gjatë do të qëndrojnë atje?

Rama: Kampet e refugjatëve janë çnjerëzore. Mendoj se ato janë një nga arsyet pse komunitetet përreth trazohen, kur njerëzit i shohin refugjatët në afërsi të tyre të mblidhen nëpër kampe. Kur vijnë shumë njerëz, ndonjëherë duhen ndërtuar edhe kampe, por në rastin tonë ne morëm një vendim. Edhe pse na u ofruan para për të ndërtuar kamp për refugjatët, refuzuam. Në këtë rast bëmë të njëjtën gjë që bëmë për njerëzit tanë, kur vendi ynë u godit nga tërmeti i tmerrshëm më 26 nëntor 2019.

– Le të vijmë tek kabineti juaj i ri, 12 ministre nga 17 ministra gjithsej. A janë gratë shqiptare shumë më të mira se burrat?

Rama: Së pari, unë besoj se gratë gjermane janë më të mira se burrat gjermanë, nuk ka dyshim për këtë dhe Angela Merkel është shembulli më i mirë. Së dyti, dua të them se nuk ishte aspak qëllimi im kjo gjë. Nuk është një kabinet që ka një përqindje kaq të lartë të grave për të bërë përshtypje në të gjithë botën, duke diskriminuar burra. Në kabinetet e mia të mëparshme, në të parin dhe në të dytin, ndarja shumë e ekuilibruar gjinore ishte e qëllimshme. Këtë herë doja thjesht kabinetin më të mirë. Dhe rasti e solli të ketë më shumë gra sesa burra./albeu.com

 

 

 


Shtuar 11.10.2021 08:38