Albin Kurti: Forcat tona speciale s’janë në kufi për të treguar forcën, por për të mbrojtur policët

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë konferencës për shtyp me Edi Ramën në Kosovë ka folur në lidhje me forcat speciale që janë pozicionuar në veri të Kosovës, për shkak të tensionit të ditëve të fundit në kufi për targat.

Kurti tha se, forcat speciale të Kosovës nuk ndodhen aty për të treguar forcën e tyre, por për të mbrojtur policët kufitarë.

“Sot kam pritur komandantin e KFORI-it. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me ndërkombëtarët dhe mekanizmat e tyre të sigurisë. Forcat tona speciale janë në pikat kufitare që të mbrojnë pikat kufitare dhe policët kufitare. Nëse nuk do të ishin forcat tona speciale atje, policët tanë kufitare do të ishin rrezikuar seriozisht. Ka kaluar shifra prej 10 mijë automjetesh që kanë ardhur nga Serbia dhe i kanë marrë targat e përkohshme. Asnjë incident në asnjë pikë kufitare. Ku ka polici të Kosovës nuk ka incidente. Policia e Kosovës është tejet profesionale dhe korrekte, shumë kurajoze. Unë i jam shumë mirënjohës. Ne kemi bërë një ofertë, që t’i heqim të gjithë targat e përkohshme, të lëvizim të lirë”, tha Kurti./albeu.com


Shtuar 27.09.2021 11:19