ZYRTARE/ Besart Ibraimi largohet nga Shkëndija, ja ku do luajë

Ashtu siç paralajmruam dje, Besart Ibraimi edhe zyrtarisht nuk do të jetë futbollist i Shkëndijës së Tetovës.

Lajmi i televizionit Shenja u konfirmua sot edhe nga klubi tetovar që përmes një komunikate zyrtare njoftuan ndërprerjen e bashkëpunimit me golashënuesin e tyre më të mirë.

Besart Ibraimi pjesë e Shkëndijës ishte në 6 vitet e fundit, duke fituar tre tituj kampion, dy trofe të Kupës dhe katër herë ishte golashënuesi më i mirë i elitës vendore.

“Bomberi” kërçovar do ta vazhdojë karrierën e tij te skuadra Ksanti që militon në Ligën e Dytë të futbollit grek. Sipas informacioneve jozyrtare, Ibraimi dhe Ksanti kanë arritur akordin, me çka pritet të firmos kontratë dy vjeçare.


Shtuar 31.08.2021 17:22