Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka analizuar zhvillimet e fundit në Partinë Socialiste, duke komentuar largimin e Elisa Spiropalit nga drejtimi i Kuvendit dhe pakënaqësitë e saj pas emërimit në krye të Ministrisë së Jashtme.
Gjatë një interviste në emisionin “Zonë e Lirë” në News24, Korreshi deklaroi se Spiropali është “deklasuar” politikisht. Sipas tij, ajo po përjeton personalisht atë që opozita dhe qytetarët pretendojnë se kanë vuajtur gjatë 13 viteve të qeverisjes socialiste.
Të lidhura
None found
Deputeti demokrat tha se Spiropali e ka provuar nga afër presionin e shtetit, pasi ka shfaqur pakënaqësi për humbjen e postit të kryetares së Kuvendit dhe kalimin në drejtimin e diplomacisë.
Korreshi nënvizoi se pozicioni i kryetares së Kuvendit i siguronte asaj peshë të madhe institucionale dhe politike. Ai përmendi edhe rolin e Spiropalit si drejtuese qarku, duke argumentuar se kjo detyrë lidhej me vendimmarrje për drejtorë, fonde dhe projekte si rrugët e shkollat.
“Kemi qenë kolegë, por ajo është deklasuar. Edhe në komision i thashë se i varën armët në gozhdë. Në gjykimin tim, Spiropali ishte një nga veteranet dhe përfitueset më të mëdha brenda PS-së, por përfundoi duke u përballur me të njëjtën situatë që ka përshkruar edhe Rama me shprehjen ‘kokat hëngshin’. Pas zgjedhjeve të vitit 2025, ndërsa Karakaçi, Nufi dhe Llambadari u bënë ministra, Spiropali humbi terren”, u shpreh ai.
Korreshi shtoi se Spiropali ka përjetuar atë që, sipas tij, të tjerët e kanë mbajtur mbi shpinë për 13 vite: egërsinë e shtetit kur ai merret personalisht me një individ. Ai përmendi shkuarjen e autoriteteve në derën e shtëpisë së saj dhe vendosjen e një gjobe, si dhe pakënaqësinë e saj për largimin nga drejtimi i Kuvendit. Sipas tij, të qenit numri dy i shtetit i jepte asaj ndikim të konsiderueshëm dhe e bënte postin shumë më të fuqishëm se ai i ministres së Jashtme.
Ai pretendoi gjithashtu se gjatë kohës në krye të Kuvendit, Spiropali kishte pavarësi dhe ndikim të madh, ndërsa si drejtuese qarku kishte rol në administrimin e strukturave dhe fondeve. “Nuk kalon gjë pa firmën e drejtuesit të qarkut, qoftë për fondet, lotet e rrugëve apo shkollat”, tha Korreshi.
Sipas tij, Spiropali qëndroi rreth një vit në postin e kryetares së Kuvendit, ndërsa për largimin e saj fajësoi Belinda Ballukun, të cilën e quajti “Bela”. Korreshi deklaroi se Balluku synonte zonën e ndikimit dhe pushtet absolut, pasi pas zgjedhjeve vendosi drejtorët e saj. Ai tha se gara brenda PS-së lidhet edhe me atë se kush do të jetë pas Ramës.
“Spiropali dhe Erjoni e rritën Belën, ndërsa Bela ua hëngri kokën të dyve. Balluku ka marrë gjysmën e qeverisë dhe administron 95% të buxhetit të shtetit”, përfundoi deputeti demokrat.








