Të paktën tetë persona kanë vdekur pasi varka me emigrantë, e cila po lundronte drejt Ishujve Kanarie, u përball me probleme në det pranë arkipelagut spanjoll.
Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që numri i viktimave të rritet deri në dhjetë.
Të lidhura
None found
Varka u pikas nga shërbimet spanjolle të shpëtimit detar rreth 70 kilometra larg Ishujve Kanarie. Në bord kishte dhjetëra njerëz dhe ekipet e shpëtimit u angazhuan për nxjerrjen e të mbijetuarve dhe dërgimin e tyre në breg.
Salvamento Marítimo bëri të ditur se 84 migrantë, mes të cilëve edhe një i mitur, u shpëtuan dhe u transportuan në portin e La Restinga, në ishullin El Hierro.
Gjashtë prej tyre u gjetën në gjendje të rënduar shëndetësore dhe u dërguan me helikopter në spital, ku do të merrnin trajtimin e nevojshëm.
Në port, të mbijetuarit u pritën nga pjesëtarë të Gardës Civile, punonjës të Kryqit të Kuq dhe ushtarë të njësisë së emergjencave të ushtrisë spanjolle. Disa prej emigrantëve ishin aq të dobësuar sa u transportuan me barela, ndërsa të tjerëve iu dhanë batanije emergjence.
Varka, ku ndodheshin ende trupat e personave të vdekur, u tërhoq në drejtim të ishullit El Hierro dhe pritej të mbërrinte në port gjatë pasdites.
Ministri spanjoll i Politikës Territoriale, Angel Victor Torres, e përshkroi operacionin si një ndërhyrje të vështirë gjatë një deklarate për radion spanjolle.
Ngjarja u regjistrua në një periudhë kur migracioni është shndërruar në një prej çështjeve kryesore të debatit politik në Spanjë, përpara zgjedhjeve parlamentare.








