Ndryshimi i qëndrimit të PDK-së për Ligjin e Speciales – lëvizje e matur apo gabim me kosto politike?

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka pranuar se deputetët e kësaj partie fillimisht e kundërshtuan kthimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, por qëndrimi ndryshoi më pas, pas konsultimeve me ekspertë.

Në një paraqitje televizive, Tahiri e cilësoi këtë hap si një goditje politike që PDK-ja e mori me vetëdije, duke e vënë interesin e procesit të apelit përpara përfitimit partiak.

Të lidhura

None found

“Është një goditje politike për PDK-në që është bërë me vetëdije”, tha ai, duke shtuar se partia e vuri interesin e procesit të apelit mbi përfitimin politik.

Kjo pranim ka rikthyer debatin për arsyet që e shtynë PDK-në të ndryshojë qëndrim dhe për pasojat që ky veprim mund të ketë në imazhin dhe besueshmërinë e saj te votuesit.

Për këto çështje kanë folur opinionisti Gani Mehmeti dhe analisti politik Eduard Gashi, të cilët kanë dhënë vlerësimet e tyre për kthesën e PDK-së dhe ndikimin që vendime të tilla mund të kenë në raportin mes politikës, drejtësisë dhe interesit shtetëror.

Mehmeti: Ligji për Dhomat e Specializuara në Hagë ishte i nxituar

Image

Opinionisti Gani Mehmeti e sheh si të nxituar ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Sipas tij, edhe nëse një ligj i tillë mund të ketë qenë i nevojshëm, është thelbësore të vlerësohen paraprakisht efektet që do të sjellë dhe nëse do ta arrijë qëllimin për të cilin po ndërmerret.

“Me këtë, nuk do të thotë se nuk ishte e nevojshme, ndoshta për një ligj të tillë. Mirëpo, është i nxituar dhe i pamenduar mirë se sa do të ketë efektin për qëllimin”, u shpreh Mehmeti.

Ai kujton se miratimi i ligjeve mund të jetë më i lehtë sesa tërheqja e tyre, duke vlerësuar se veprimet e tilla nuk duhet të varen vetëm nga fakti nëse një vendim është apo jo në favor të palës që e ka marrë atë.

“Nganjëherë, ka ligje që lehtë i aprovon, por është vështirë ta tërheqësh. Kjo duket sikur është një lojë. Por, lojëra të tilla janë të papranueshme, sepse duken veprime të liga kur ne tërhiqemi pse nuk është në favorin tonë, ose do ta pranonim, nëse vetëm kur është në favorin tonë. Janë disa gjëra që nuk mund t’i ndryshojmë, aq më shumë, kur nga duart tona ua kemi përcjellë të tjerëve, në veçanti kur është në pyetje ndarja e drejtësisë, sikur në rastin konkret”, deklaroi ai.

Mehmeti thekson se nismat për ndryshime ligjore duhet të shqyrtohen me kujdes dhe se pasojat e tyre duhet të analizohen përpara se të ndërmerren hapa konkretë.

“Veprimet e tilla duan menduar gjatë, hollë e thellë, më parë se të marrim iniciativën për ndryshime”, tha Mehmeti.

Duke sqaruar se nuk po flet për drejtësinë apo padrejtësinë e Gjykatës Speciale, por për ndryshimin e ligjit, opinionisti shtron edhe një dilemë: çfarë do të ndodhte me vendimet për të dënuarit dhe proceset e apelit nëse Gjykata do të shuhej.

“Në anën tjetër, ne nuk po flasim këtu për drejtësi apo padrejtësi, por për ndryshim të ligjit. Edhe sikur ta shuanim Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë sot, kush do të merrte një vendim për lirimin e të dënuarve në Hagë? Apo, do të duhej ta mbanin këtë dënim deri në fund, kur nuk do të kishte kush të merrej me apelin, në dorën e të cilit kanë mbetur sot të dënuarit, dhe ne presim lirimin e tyre.

Këtu do të bëhej një pështjellim i madh edhe me ligjin, edhe me vendimin për lirimin e tyre, sepse lind pyetja: kush do të ishte kompetent edhe për mbajtjen e dënimit të tyre, por edhe për lirimin e tyre?”, pyeti ai.

Duke iu referuar deklaratës së Arian Tahirit, Mehmeti kujton se PDK-ja fillimisht ishte kundër kthimit të ligjit në Kuvend, por më pas ndryshoi qëndrim. Ai vlerëson se, përveç llogarive politike, duhet të merret parasysh edhe ndikimi që një vendim i tillë mund të ketë për vendin.

“Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka pranuar se partia fillimisht ishte kundër kthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, por më pas ndryshoi qëndrim pas konsultimeve me ekspertë.

Ai e cilësoi këtë vendim si një goditje politike për PDK-në, të cilën partia e mori me vetëdije, duke vendosur interesin e procesit të apelit mbi përfitimin politik. Por, këtu do të duhej vëmendje që të mos pësojë vendi, shteti”, thekson Mehmeti.

Sipas tij, ndryshimi i qëndrimit mund të ndikojë edhe në imazhin e partisë para elektoratit, ndërsa ai e cilëson të pamenduar mirë nxitimin për ndryshimin e ligjit.

“Vendimi i PDK-së për të ndryshuar qëndrimin ndaj Ligjit të Speciales nuk do të duhej të ishte një vendim i domosdoshëm politik. Tërheqja mendonin se mund të ndikojë në imazhin dhe besueshmërinë e partisë para elektoratit, por me gjasë, do të reflektojë ndryshe, apo se ishte një nxitim i pamenduar mirë kur është fjala për ndryshimin e Ligjit të Speciales në Hagë”, u shpreh ai.

Mehmeti vlerëson se ky zhvillim tregon përplasjen mes interesit partiak dhe atij që PDK-ja e konsideron interes kombëtar. Ai përmend edhe ndikimin e mesazheve nga vendet mike të Kosovës në ndryshimin e qëndrimit të partisë.

“Kur Arian Tahiri pranon se ky vendim i kushtoi politikisht PDK-së, tregon për përplasjen ndërmjet interesit partiak dhe atij që PDK-ja e konsideron interes kombëtar.

PDK-ja nga Ligji për Dhomat e Specializuara është ndikuar nga mesazhet e vendeve mike të Kosovës, siç po thuhet, e cila më pastaj kishte kërkuar nga presidentja Justina Shiroka-Pula që ligjin e miratuar në tetor ta kthente në Kuvend për plotësime.

Dhe, pas marrëveshjes me kryeministrin Albin Kurti, palët u pajtuan për një nismë të re ligjore.

Bashkimi Evropian ka kërkuar më herët që të konsultohet nëse rifillojnë diskutimet për ndryshimin e ligjit, ndërsa edhe Mbretëria e Bashkuar i ka kujtuar Kosovës rëndësinë e respektimit të drejtësisë ndërkombëtare.

Me gjithë këto, shihet se edhe PDK-ja, por edhe Kosova, sikur është sot mes dy zjarresh, dhe çështja është e ndërlikuar, nga që, dikah po dhemb siç duket, ose tek të dënuarit, ose Kosova.

Prandaj e themi se Ligji për ndryshimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ishte i nxituar”, përfundon Mehmeti.

Gashi: Interesi kombëtar nuk mund të përcaktohet vetëm nga deklaratat e partive

Ndërkaq, analisti politik Eduard Gashi vlerëson se ndryshimi i një qëndrimi politik nuk përbën domosdoshmërisht shenjë dobësie, ashtu siç as këmbëngulja në një qëndrim nuk është gjithmonë dëshmi e forcës politike. Sipas tij, vlerësimi duhet të mbështetet tek arsyet, rrethanat dhe pasojat e vendimit.

Image

“Në politikë, ndryshimi i një qëndrimi nuk është domosdoshmërisht shenjë dobësie, ashtu siç këmbëngulja në një qëndrim nuk është domosdoshmërisht dëshmi e forcës politike. Gjithçka varet nga arsyet, rrethanat dhe pasojat e vendimit.

Nëse ndryshimi i qëndrimit të PDK-së mbështetet në argumente të mirëfillta juridike dhe në vlerësimin profesional të ekspertëve, atëherë ai duhet të gjykohet mbi këtë bazë dhe jo vetëm përmes prizmit të përfitimit elektoral”, u shpreh Gashi.

Ai thekson se debati për këtë çështje duhet të shoqërohet edhe me një dallim të rëndësishëm historik dhe politik, duke nënvizuar se historia e Kosovës dhe përpjekjet për çlirim e shtetndërtim nuk mund të përvetësohen nga subjektet politike.

“Por, në këtë debat, Kosova duhet të bëjë edhe një dallim të rëndësishëm historik dhe politik.

UÇK-ja nuk është pronë e PDK-së, ashtu siç trashëgimia politike dhe kombëtare e presidentit Ibrahim Rugova nuk është pronë ekskluzive e LDK-së së sotme.

Duhet ta dallojmë LDK-në e periudhës së rezistencës paqësore dhe të udhëheqjes së Ibrahim Rugovës nga LDK-ja si subjekt politik i ditëve të sotme. LDK-ja e asaj kohe kishte karakterin e një lëvizjeje të gjerë popullore. Rugova nuk përfaqësonte vetëm anëtarësinë e një partie, por një aspiratë kolektive për liri, pavarësi dhe shtetësi.

Në të njëjtën mënyrë, UÇK-ja përfaqësonte një mobilizim për çlirimin e vendit që tejkalonte kufijtë e përkatësisë partiake”, theksoi ai.

Gashi shton se epokat historike duhet të dallohen nga konkurrenca e sotme politike dhe se asnjë parti nuk mund të pretendojë pronësi ekskluzive mbi historinë kombëtare.

“Duhet t’i dallojmë këto epoka historike nga konkurrenca e sotme ndërpartiake. Vazhdimësia organizative apo politike nuk nënkupton pronësi ekskluzive mbi historinë kombëtare.

Rezistenca paqësore, lufta çlirimtare, diplomacia dhe shtetndërtimi janë kapituj të historisë së të njëjtit popull. Ato nuk duhet të trajtohen si prona të ndara të partive politike.

Kosova nuk është produkt i një partie, por rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave të brezave të tërë”, u shpreh Gashi.

Duke iu referuar deklaratës së Tahirit, analisti thotë se çështja shkon përtej PDK-së dhe lidhet me raportin mes interesit elektoral të një partie dhe përgjegjësisë së saj ndaj shtetit.

“Deklarata e z. Tahiri ngre një çështje që shkon përtej PDK-së: raportin ndërmjet interesit elektoral të një partie dhe përgjegjësisë së saj ndaj shtetit.

Interesi kombëtar nuk mund të përcaktohet vetëm nga deklaratat e partive politike. Ai duhet të argumentohet përmes Kushtetutës, sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ruajtjes së besueshmërisë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Asnjë parti nuk fiton automatikisht të drejtën morale për të përfaqësuar interesin kombëtar vetëm sepse deklaron se ka sakrifikuar interesin e vet elektoral. Kjo dëshmohet përmes veprimeve, transparencës dhe rezultateve konkrete”, deklaroi ai.

Sipas Gashit, Kosova ka nevojë për një kulturë politike në të cilën drejtësia, historia dhe patriotizmi nuk shndërrohen në mjete për përfitime partiake.

“Kosova ka nevojë për një kulturë politike në të cilën drejtësia nuk matet me përqindje elektorale, historia nuk përdoret si kapital partiak dhe patriotizmi nuk monopolizohet nga askush.

Mbrojtja e dinjitetit të luftës çlirimtare nuk përjashton respektimin e pavarësisë së drejtësisë. Garantimi i një procesi të drejtë gjyqësor, prezumimi i pafajësisë dhe respektimi i dinjitetit të viktimave janë parime që duhet të bashkëjetojnë në një shtet demokratik”, theksoi Gashi.

Në fund, analisti nënvizon se vendimet shtetërore kanë pasoja afatgjata dhe se interesi kombëtar duhet të shërbejë si kriter për vlerësimin e veprimeve politike.

“Partitë politike janë të përkohshme, ndërsa Republika është një projekt ndërbrezor. Zgjedhjet përsëriten çdo disa vjet, por pasojat e vendimeve shtetërore mund të trashëgohen për dekada.

Prandaj, interesi kombëtar nuk duhet të jetë argument për të fituar betejën e radhës politike, por kriter për të gjykuar çdo betejë politike.

Historia e Kosovës nuk fillon dhe nuk përfundon me asnjë parti. Ajo u përket edhe atyre që nuk kanë pasur kurrë një librezë partie, por që kanë dhënë gjithçka për lirinë e vendit”, përfundon Eduard Gashi.


Shtuar më 26.11.2026 10:28

grandpashabet güncel girişBursa Escortgrandpashabet güncel girişjojobet girişgrandpashabet girişgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabet girişgrandpashabetgrandpashabetdeneme bonusucasinofast güncel girişmarsbahisonline notarystarzbetgiftcardmall/mygiftbetkomextrabetultrabet girişgrandpashabet girişTürk İfşajojobet girişjojobetmatbetbahis sitelericasino sitelerigüvenilir bahis sitelerijojobetSahabetjojobetjojobetForum zamparalargüvenilir bahis sitelerigrandpashabet kıbrısCasibomCasibomCasibom GirişCasibom Girişjojobet girişjojobetjojobetmarsbahismarsbahisSon Dakikablack jack insurancejojobet güncel girişjojobet giriş