Një ndërprerje globale e shërbimeve, e cila zgjati rreth 24 orë, e shtyu Microsoft-in të aktivizojë “Code Red”, nivelin më të lartë të alarmit të brendshëm.
Problemet nisën më 12 nëntor dhe vijuan deri më 13 nëntor, duke prekur Outlook, Teams, Copilot dhe Exchange Online. Sipas raportimeve, ndërprerja pengoi veprimtarinë e institucioneve qeveritare në Australi, Japoni dhe SHBA, vonoi disa kompani tregtimi dhe vështirësoi komunikimin e linjave ajrore.
Të lidhura
None found
Kompania tha se shkaku ishte një defekt i pazbuluar më parë në Windows, i cili ishte futur në korrik. Microsoft përjashtoi mundësinë që incidenti të ishte pasojë e një sulmi kibernetik apo e përfshirjes së agjentëve të inteligjencës artificiale. Drejtori ekzekutiv Satya Nadella kërkoi publikisht falje për vështirësitë e shkaktuara.

Më shumë se 17 orë nga nisja e ndërprerjes, disa përdorues vijonin të mos hapnin dot kutitë hyrëse dhe të mos dërgonin email. Microsoft nuk bëri të ditur sa përdorues u prekën gjithsej.
Të dhënat e shpërndara e ndërlikuan reagimin
Memorandume të brendshme të shqyrtuara nga Reuters tregojnë se të dhënat diagnostikuese gjendeshin në sisteme të ndryshme, çka e vështirësoi bashkërendimin mes inxhinierëve. Amanda Silver, drejtuese në Microsoft, tha se ekipet shkëmbyen mbi 11 mijë mesazhe në 11 biseda të ndryshme në Teams, teksa punonin për rikthimin e shërbimeve. Si pasojë, ishte më e vështirë që të gjithë të kishin një pamje të përbashkët për shkaqet e mundshme dhe vendimet e marra.
Jason Henderson, drejtues i njësisë Microsoft 365 Core, u deklaroi punonjësve se asnjë ndërprerje e mëparshme e Exchange Online nuk kishte lënë kaq shumë klientë pa email për një periudhë kaq të gjatë. Ai tha se, pas aktivizimit të “Code Red”, përparësia kryesore e ekipit është trajtimi i dobësive të identifikuara.

Synimi: rikthimi i shërbimeve brenda një ore
Planet e Microsoft-it parashikojnë lehtësimin e ngarkesës në sistemet e mbingarkuara, shpërndarjen e trafikut sipas rajoneve dhe përshpejtimin e rikthimit të shërbimeve. Kompania synon që ndërprerjet e ardhshme globale t’i zgjidhë brenda një ore dhe planifikon të përdorë agjentë të inteligjencës artificiale për t’i ndihmuar inxhinierët të gjejnë më shpejt problemet teknike.
Microsoft kërkon gjithashtu të shkurtojë kohën e shpërndarjes së përditësimeve urgjente të sigurisë. Henderson tregoi se një korrigjimi urgjent në një incident tjetër iu deshën pesë deri në gjashtë ditë për t’u instaluar në të gjitha sistemet në nivel global. Për çështjet më kritike të sigurisë, objektivi është që procesi nga zbulimi i problemit deri te dërgimi i sigurt i korrigjimit në mbarë botën të mos zgjasë më shumë se një orë.






