Ndalimi i hyrjes në Bosnjë e Hercegovinë për Milan Radoiçiqin dhe vëllezërit Zvonko e Zharko Veselinoviq ka nxjerrë sërish në pah dobësitë e sigurisë në këtë shtet. Rasti ka vënë në fokus edhe lidhjet politike e të biznesit që lehtësojnë lëvizjen rajonale të personave të dyshuar për veprimtari kriminale.
Një analizë e Deutsche Welles (DW) vëren se çështja e tre personave të lidhur me veriun e Kosovës zbulon si vështirësitë në kontrollin e kufirit Serbi–Bosnjë, ashtu edhe bllokimet politike brenda institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës.
Të lidhura
None found
Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Bosnjë e Hercegovinës (OSA) vendosi t’ua ndalojë hyrjen Radoiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq, duke i cilësuar kërcënim për sigurinë kombëtare. Vendimi u mor pasi rrjeti hulumtues serb KRIK raportoi se Zvonko Veselinoviq kishte udhëtuar gjatë këtij muaji nga Sarajeva në Stamboll të Turqisë.
Rasti ka ngritur pyetjen se si persona nën hetim, të kërkuar nga policia ose të sanksionuar ndërkombëtarisht mund ta përdorin Bosnjën si pikë tranziti për t’u larguar nga Serbia.
Lidhjet me pushtetin në Republika Srpska
Predrag Petroviq, drejtor i hulumtimeve në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCBP), thotë se Radoiçiqi dhe vëllezërit Veselinoviq nuk ishin vetëm figura me ndikim politik e ekonomik në veriun e Kosovës. Sipas tij, ata ishin pjesë e një sistemi më të gjerë kontrolli informal, të cilin Partia Përparimtare Serbe (SNS) e kishte mbajtur për vite në atë zonë.
Petroviq shpjegon se detyra e tyre kryesore ishte të ushtronin disiplinë politike mbi popullsinë serbe në veri të Kosovës.
“Veriu i Kosovës praktikisht ishte laborator për vendosjen e një modeli të kontrollit politik, i cili më vonë u zbatua edhe në gjithë Serbinë, përfshirë grupet e organizuara që me xhipa të zinj silleshin rreth vendvotimeve”, ka thënë ai për DW.
Sipas Petroviqit, largimi i tyre nga Serbia në këtë periudhë mund të lidhet me synimin për t’iu shmangur përgjegjësisë së mundshme penale. Ai e lidh këtë edhe me ndryshimet në raportet politike në Beograd dhe mundësinë që policia e prokuroria të veprojnë me më shumë pavarësi.
Petroviq thotë se vëllezërit Veselinoviq kaluan nëpër Sarajevë për të vazhduar drejt Stambollit. Për Radoiçiqin, ndërkaq, sipas tij qarkullojnë informacione të pakonfirmuara se është larguar për në Rusi.
Ai e cilëson domethënëse zgjedhjen e Bosnjës nga vëllezërit Veselinoviq, për shkak të lidhjeve të tyre politike dhe të biznesit me Republika Srpska. Megjithatë, thekson se nuk ka dëshmi që zyrtarë të pushtetit të këtij entiteti t’i kenë ndihmuar të largohen nga Serbia.
Ministria e Punëve të Brendshme e Republika Srpska ka mohuar raportimet se Radoiçiqi ndodhet në territorin e entitetit dhe se mbrohet nga institucionet e tij. Sipas ministrisë, përgjegjësia për kontrollin e kufirit shtetëror i takon Policisë Kufitare të Bosnjë e Hercegovinës.
Pse Bosnja mund të përdoret si rrugë tranziti?
Një pengesë kryesore është statusi juridik i kërkesave të institucioneve të Kosovës në Bosnjë e Hercegovinë.
Autoritetet në Prishtinë kanë lëshuar fletarrestim për Radoiçiqin lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë. Kërkimi është përcjellë në sistemin e Interpolit përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), pasi Kosova nuk është anëtare e kësaj organizate.
Bosnjë e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka me të marrëveshje për ndihmë juridike e ekstradim. Për këtë arsye, zbatimi i kërkesave të tilla në sistemin e sigurisë dhe drejtësisë së Bosnjës është i kufizuar dhe mund të ndikohet politikisht.
Eksperti i sigurisë Safet Mushiq vlerëson se rasti nuk tregon patjetër se kufiri nuk kontrollohet teknikisht. Sipas tij, sistemi vepron vetëm kur ka një bazë formale për ndërhyrje.
Mushiq shpjegon se Policia Kufitare e Bosnjës u lejon kalimin personave për të cilët bazat e të dhënave nuk tregojnë ndalim ose fletarrestim të njohur nga shteti.
Ai shton se Bosnja nuk është e detyruar ligjërisht t’i kthejë automatikisht sanksionet e SHBA-së ose të Bashkimit Evropian në ndalime hyrjeje në territorin e saj.
“Personat që prej vitesh janë nën sanksione amerikane dhe fletarrestime të Kosovës, për këtë arsye kanë mundur të hyjnë lirshëm në Bosnjë, të qëndrojnë atje dhe të fluturojnë nga Sarajeva”, ka deklaruar Mushiq për DW.
Sipas tij, ndalimi i hyrjes së shtetasve serbë në Bosnjë rrallë shihet vetëm si çështje profesionale e sigurisë, pasi këto vendime shpesh sjellin përplasje politike.
SNSD-ja kundërshtoi ndalimet edhe në rastin e Vulin-it
DW vëren se ndikimi i politikës në vendimet e institucioneve të sigurisë është shfaqur edhe më parë.
Përfaqësuesit e Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) të Milorad Dodikut e kishin kundërshtuar mundësinë që në Bosnjë t’i ndalohej hyrja Aleksandar Vulin-it, ish-zëvendëskryeministër i Serbisë dhe ish-drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), i cili është nën sanksione amerikane.
Edhe ndalimi i shkrimtarit rus Zahari Prilepin, më 2018, kishte nxitur debat politik. Ai ishte cilësuar kërcënim për sigurinë për shkak të pjesëmarrjes në formacione të armatosura proruse në Ukrainë.
Udhëheqësit e SNSD-së e kishin akuzuar atëherë agjencitë e sigurisë në Bosnjë për veprime arbitrare dhe për hartimin e listave të personave të padëshiruar pa miratimin e përfaqësuesve serbë.
Mushiq thotë se presioni politik i shtyn agjencitë e sigurisë të presin derisa një rast të bëhet publik. Kështu, sipas tij, vendimet fitojnë më shumë legjitimitet dhe institucionet mbrohen nga sulmet politike.
“Rezultati është një masë parandaluese që vjen në kohën kur nuk ka më kë të pengojë. Përderisa vlerësimet e sigurisë varen nga ajo se kush do të ndihet i fyer politikisht, Bosnja do të mbetet vend nëpër të cilin kalohet lehtë dhe nga i cili largohet edhe më lehtë”, ka thënë ai.
Mungesa e besimit mes institucioneve dhe kontrolli kufitar
Për mangësitë e sistemit të sigurisë në Bosnjë ka folur edhe Dushko Vejnoviq, profesor në Universitetin e Banjallukës dhe kryetar i Qendrës Evropiane të Defendologjisë.
Vejnoviq vlerëson se mosbesimi mes agjencive policore dhe atyre të inteligjencës sjell shkëmbim të përzgjedhur të informatave. Sipas tij, kjo ndikohet jo vetëm nga përkatësia etnike, por kryesisht nga interesat politike dhe ekonomike.
“Përgjegjësia e dobët parlamentare mbi sektorin e sigurisë në Bosnjë krijon hapësirë në të cilën mund të fshihen individë dhe grupe me dosje kriminale, gjë që dëshmon mungesën e sundimit të ligjit dhe përgjegjësisë së elitave politike”, ka thënë Vejnoviq.
Ekspertët theksojnë se sfida nuk mbaron me vendimin për ndalim hyrjeje, pasi duhet parë edhe nëse masa zbatohet në terren.
Eksperti i sigurisë Vlladimir Vuçkoviq rikujton se kufiri i Bosnjë e Hercegovinës shtrihet në rreth 1.600 kilometra dhe se Policia Kufitare ka mungesë të vazhdueshme personeli. Mbikëqyrjen e pengojnë gjithashtu terreni i vështirë dhe numri i madh i kalimeve të paligjshme.
Vuçkoviq përmend edhe Zoran Galiqin, ish-drejtorin e Policisë Kufitare të Bosnjës dhe zëvendësdrejtorin e Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA). Në korrik të vitit 2024, Galiqi kaloi ilegalisht kufirin dhe u largua drejt Kroacisë, pak para arrestimit të paralajmëruar.
Ndryshimet politike në Serbi, provë për bashkëpunimin rajonal
Analistët shohin te rastet e Radoiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq edhe një provë për bashkëpunimin që do të zhvillojnë në të ardhmen institucionet e sigurisë në Beograd e Sarajevë.
Petroviq nuk pret që bashkëpunimi policor dhe ai i inteligjencës mes dy vendeve të shtohet menjëherë, edhe pse raportet politike në Serbi kanë ndryshuar.
Ai thotë se policia, shërbimet e inteligjencës dhe prokuroria serbe ndodhen ende në një periudhë pasigurie, ndërkohë që një pjesë e drejtuesve mbetet e lidhur me sistemin e mëparshëm të pushtetit.
Petroviq dallon bashkëpunimin teknik kundër krimit të zakonshëm ndërkufitar nga rastet që përfshijnë rrjete politike dhe kriminale në nivelet më të larta. Për këto të fundit, sipas tij, kërkohet vullnet i qartë politik.
“Pas formimit të qeverisë së re në Beograd dhe vendosjes së kontrollit real civil mbi aparatin e sigurisë, bashkëpunimi me Bosnjën duhet të jetë një prej prioriteteve. Është thelbësore që bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të mos varet nga lidhjet politike të të dyshuarve, por nga ligji”, ka deklaruar Petroviq.
Ai paralajmëron se, pa një ndryshim të tillë, kufijtë mes Serbisë dhe Bosnjës do të vazhdojnë të jenë më të lehtë për t’u kaluar nga rrjetet kriminale sesa nga drejtësia.








