Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se në rast se do të tentohej arrestimi i tij, do të niste një grevë urie, ndërsa pretendon se një milion njerëz do të dilnin në rrugë në shenjë proteste.
Gjatë një interviste për televizionin “Pink”, Vuçiç foli për Listën Studentore dhe mundësinë e arrestimit të tij, duke akuzuar kundërshtarët politikë se kërkojnë të dëmtojnë njerëzit që urrejnë.
Të lidhura
None found
Gjatë intervistës, kreu i shtetit serb njoftoi gjithashtu se Partia Progresive Serbe (SNS) do të vendosë në kongresin e saj më 13 dhjetor nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale.
Vuçiç tha se personalisht është më pranë qëndrimit që partia të mos marrë pjesë në zgjedhje, pasi nuk dëshiron t’u japë legjitimitet kundërshtarëve politikë.
“Pse duhet ta bëjmë këtë, ndërkohë që njerëzit tanë po përndiqen, keqtrajtohen dhe ngacmohen? Është plotësisht e mundur që partia të marrë edhe një vendim tjetër”, u shpreh ai.
Duke folur për humbjen e mundshme në zgjedhje, Vuçiç vlerësoi se SNS mund të përmirësojë rezultatin në zgjedhjet e ardhshme, por fillimisht duhet të ndryshojë, të pranojë gabimet e veta dhe të jetë objektive në vlerësimin e saj.
Një tjetër çështje për të cilën foli Vuçiç gjatë intervistës ishte një kërcënim i pretenduar me vdekje nga klani kriminal i Vraçarit. Ai tha se një ditë më parë kishte marrë një mesazh kërcënues, por theksoi se nuk kishte ndërmend ta denonconte në polici, pasi nuk kishte besim tek ajo.
Vuçiç akuzoi gjithashtu se policia është marrë nën kontroll nga elementë të rrugës dhe Lista Studentore.
“Unë nuk kam çfarë t’u raportoj atyre, jo vetëm sepse nuk kam besim, por edhe sepse e di se për kë punojnë këta njerëz”, deklaroi ai.
Sipas kreut të shtetit serb, mesazhi që kishte marrë ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë, ndërsa përmbante kërcënime për eliminimin e tij. Ai akuzoi policinë se nuk ka arrestuar anëtarët e këtij grupi kriminal.








