Pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 16 milionë euro në zonën e “Ujit të Ftohtë” të Vlorës u konfiskuan dhe kaluan në pronësi të shtetit, pasi dyshohet se ato ishin përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara.
Burimet zyrtare të Prokurorisë së Vlorës bënë të ditur se këto pasuri i përkisnin shtetasit me inicialet P.P., i cili u dënua me 7 vjet burgim për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 187/1 të Kodit Penal.
Të lidhura
None found
Nga hetimi i procedimit penal nr. 946/2015 rezultoi se, gjatë proceseve gjyqësore dhe procedurave administrative për njohjen dhe kthimin e një pasurie prej 32.000 metrash katrorë në “Ujin e Ftohtë”, ishte përdorur një vendim gjyqësor i falsifikuar.
Pas regjistrimit të kësaj pasurie në vitin 2009, u kryen veprime juridike me qëllim ndarjen, tjetërsimin dhe kalimin e saj në emër të personave të tretë, në mënyrë që të fshihej origjina e paligjshme e pronës.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë dhe me vendim gjykate, në favor të shtetit kaluan gjithsej nëntë pasuri të paluajtshme. Ndër to përmenden një sipërfaqe prej 23.363 m², një tjetër prej 7.932 m², si dhe sipërfaqe të tjera prej 1.000 m², 1.126 m² dhe 7.637 m².
Pasuria fillestare prej 32.000 m², e regjistruar në vitin 2009 në favor të shtetasve K.Sh., M.Sh. dhe R.Sh., si dhe të gjitha pasuritë që burojnë prej saj, përfshijnë konkretisht pasurinë nr. 431, nr. 404, nr. 311, nr. 312, pasurinë me nr. 41.263 me sipërfaqe 23.363 m², atë me nr. 41.264 me sipërfaqe 1000 m², atë me nr. 41.361 me sipërfaqe 7932 m², atë me nr. 41.263/1 me sipërfaqe 1126.13 m² dhe atë me nr. 41.108 me sipërfaqe 7637 m².
Vlera totale e këtyre pasurive të konfiskuara llogaritet rreth 16 milionë euro.








