Shqipëria rrezikohet nga shpërthimi i fruthit, prindërit i tremben vaksinimit të fëmijëve

Shqipëria rrezikohet nga shpërthimi i një vale të Fruthit.

Lajmin e ka bërë të ditur ISHP, e cila ngre alarmin se mbulesa vaksinale ka rënë në 91%, kushti në rang kombëtar është 95%.

Sipas të dhënave të bëra publike në raportin e INSTAT për Treguesit e Shëndetit Publik, për vitin 2020 rezulton se nga vaksinat që janë të detyrueshme për fëmijët në vendin tonë, që janë pjesë e kalenadarit të vaksinave, mbulesa vaksinale është mesatarisht në nivelet mbi 97 % duke përmbushur kështu dhe kriterin bazë, ku çdo antigen vaksinal duhet të jetë mbi 95 % në nivel kombëtar.

Në raportin e INSTAT, shkruhet se përjashtim bënë vetëm grupi Fruth-Rubeolë dhe Parotit, me mbulim 91 %. Ky grup vaksinash, në vitin 2020, ka rënë me 4 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2019.

Ulja e mbulesës vaksinale në rang kombëtarë e kësaj vaksine është shumë e lartë sipas ekspertëve të vaksinimit, pasi në vitin 2018 që rezulton dhe si vitit më i keq, ku mbulesa ra nën 95%, dhe arriti në 94.1% pati shpërthime të disa rasteve të fruthit të fëmijët e pavaksinuar. Sipas ISHP u identifikuan rreth 800 raste me fruth dhe dy fëmijë të vegjel humbën jetën.

Nga viti në vit ka pasur një rritje graduale të numrit të të pavaksinuarve, kjo pasi prindërit nuk I kanë vaksinuar fëmijët e tyre nga frika e efekteve anësore./albeu.com


Shtuar 24.08.2021 16:39