Për Diana Morinën, aktiviste e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, deklaratat e politikanëve pas vrasjes së Arlinda Zekajt nuk e zëvendësojnë detyrimin që institucionet kishin për t’i garantuar asaj mbrojtje dhe të drejtat themelore kur ishte gjallë. Në një intervistë për KosovaPress, ajo foli për kërkesat e protestuesve dhe angazhimin e mëtejshëm të lëvizjes feministe.
Rasti i Arlinda Zekajt, e cila dyshohet të jetë vrarë nga kunati i saj, solli reagime dhe organizim qytetar kundër femicidit në Kosovë. Vrasja e saj vuri sërish në qendër të debatit detyrimet e institucioneve për t’i mbrojtur gratë nga dhuna.
Të lidhura
None found
Aktivistet dhe aktivistët që mbrojnë të drejtat e grave kërkuan që institucionet të japin llogari për dështimet, përgjegjësit të përballen me ndjekje penale dhe të ndërmerren veprime konkrete për të parandaluar vrasje të tjera të grave.
Të shtunën, më 7 nëntor, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist organizoi në Prishtinë një protestë mbarëkombëtare kundër femicidit pas vrasjes së Arlinda Zekajt. Pjesëmarrësit marshuan drejt institucioneve, me kërkesa për drejtësi për Arlindën dhe gratë e tjera të vrara, përgjegjësi institucionale dhe hapa konkretë kundër dhunës ndaj grave. Shpallja e femicidit urgjencë kombëtare ishte gjithashtu ndër kërkesat kryesore.
Morina shpjegoi se thirrja për protestë erdhi si përgjigje ndaj vrasjes së Arlindës, vrasjeve të dhjetëra grave para saj dhe dhunës që gratë në Kosovë përjetojnë çdo ditë. Sipas aktivistes, në themel të revoltës qëndron dështimi i përsëritur i shtetit për t’u siguruar grave dhe vajzave mbrojtje, siguri dhe një jetë të lirë, me dinjitet e pa dhunë.
Ajo theksoi se si protesta, ashtu edhe vazhdimësia e lëvizjes, mbahen nga puna vullnetare e një grupi organizues me aktiviste dhe aktivistë nga e gjithë Kosova. Pakënaqësia ndaj mungesës së mbrojtjes institucionale, sipas saj, shtrihet edhe përtej këtij grupi.
Në kërkesat që paraqiti, Morina përsëriti nevojën për ndjekjen penale të zyrtarëve që, sipas saj, nuk përmbushën detyrimet ligjore në këtë rast, si dhe për shkarkimin e disa zyrtarëve të lartë shtetërorë. Ajo renditi gjithashtu trajtimin e femicidit si urgjencë kombëtare, një veting të pavarur në sistemin e drejtësisë dhe sigurimin e banimit social për të mbijetuarat e dhunës në baza gjinore.
Duke iu referuar reagimeve politike, aktivistja tha se lëvizja i refuzon deklaratat e bëra pas vrasjes së Arlindës, si nga pozita, ashtu edhe nga opozita. Ajo argumentoi se Arlindës i nevojitej mbrojtje dhe garantim i të drejtave bazike gjatë jetës, jo vajtim pas vrasjes, për të cilën pretendoi se ishte ndërmjetësuar nga vetë institucionet shtetërore.
Si shembull, Morina solli deklaratën e ministres Gërvalla në konferencën ku u prezantuan gjetjet e raportit të kërkuar nga kryeministri Kurti. Sipas saj, pohimi i ministres se femicidi ndodh në të gjithë botën dhe jo vetëm në Kosovë nuk mund të shërbejë si arsyetim për të mos vepruar.
Në vlerësimin e Morinës, një argument i tillë do të nënkuptonte pranimin e mosveprimit meqë gratë vriten kudo. Ajo këmbënguli se përgjegjësit mund të identifikohen dhe se shteti duhet të përgjigjet e të japë llogari për dështimet në mbrojtjen e grave.
Sa i përket vazhdimit të veprimtarisë së lëvizjes feministe, ajo bëri të ditur se protestat dhe angazhimi i aktivisteve nuk do të ndalen. Kërkesat, theksoi Morina, mbeten drejtësia për gratë e vrara dhe siguria për ato që jetojnë.
Aktivistja rikujtoi se, që në ditën e parë, lëvizja kishte bërë të qartë se përfaqësuesit e partive politike nuk janë të mirëpritur në protestë dhe se, nëse nevojitet, do të ketë konfrontim me ta. Sipas saj, të gjitha partitë e kanë ushtruar ose e ushtrojnë pushtetin, pa sjellë ndonjë ndryshim sistematik që u ofron grave mbrojtje.
Në vend të pjesëmarrjes në protestë, Morina kërkoi që përfaqësuesit politikë të qëndrojnë në zyrat dhe pozitat e tyre të pushtetit, t’u paraqesin aktivisteve dhe aktivistëve hapa konkretë për luftimin e femicidit dhe të përmbushin kërkesat e protestuesve.
Ajo kundërshtoi edhe përpjekjet për t’i dhënë protestës ngjyrim partiak. Duke iu referuar asaj që bashkaktivistja Liridona Sijarina kishte deklaruar qartë e publikisht disa ditë më parë, Morina tha se partitë opozitare po përpiqen ta përvetësojnë kauzën qytetare përmes diskursit të tyre.
Nga ana tjetër, sipas Morinës, pushteti po zhvillon përpjekje të organizuara për ta vënë në dyshim protestën, duke e paraqitur si të lidhur me opozitën dhe si një nismë që synon rrëzimin dhe destabilizimin e qeverisë.
Morina këmbënguli se protesta ka karakter qytetar dhe nuk mbështetet nga partitë. Ajo sqaroi se organizimi mbështetet në angazhimin vullnetar të aktivisteve dhe aktivistëve, ndërsa ndihma financiare sigurohet vullnetarisht nga vetë ata dhe nga qytetarët e Kosovës.






