Para Qeverisë protestuan punonjës të sektorit të shëndetit veterinar, të cilët kërkojnë që buxheti për vitin 2027 të mos shkurtohet. Sipas tyre, sektori po përballet me vështirësi për shkak të financimit të pamjaftueshëm dhe vonesave në zbatimin e masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve.
Protesta u ndërmor nga mjekët veterinarë dhe klinikat veterinare që zbatojnë në terren masat parandaluese, me mbështetjen e Dhomës Veterinare të Maqedonisë.
Të lidhura
None found
Veterinerët thonë se fondet buxhetore për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve kanë qenë të pamjaftueshme, sidomos gjatë dy viteve të fundit. Ata kundërshtojnë edhe mënyrën se si institucionet e trajtojnë profesionin e tyre.
Veterinari Lazim Zurapi tha se projektet e parashikuara në planin vjetor nuk kanë nisur ende, ndonëse sipas tij duhej të ishin realizuar deri tani. Ai e lidhi këtë vonesë me cilësinë dhe sigurinë ushqimore për konsumatorët dhe kërkoi që laboratori ku duhet të dorëzohen analizat për kontrolle të vihet urgjentisht në funksion.
Dhoma Veterinare paralajmëroi se shtyrja e masave parandaluese pengon zbulimin dhe parandalimin në kohë të sëmundjeve të kafshëve. Sipas saj, pasojat mund të prekin blegtorinë, tregtinë e kafshëve, sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.
Zharko Mihajllovski, kryetar i Odës së Veterinarëve të RMV-së, tha se buxheti për mbrojtjen shëndetësore të kafshëve, nga rreth 400 milion denarë disa vite më parë, është ulur në rreth 180 milion denarë. Sipas tij, kjo ulje tregon se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk mund t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për shërbimet që shoqëritë e veterinarëve do të ofrojnë gjatë vitit të ardhshëm.







