OBRM-PDUKM pretendon se në vitin 2019, LSDM mundësoi kalimin e 110 milionë eurove nga Venezuela drejt kompanive të afërta me Zaevin, ndonëse vendi i Amerikës Latine në atë periudhë ishte nën sanksione ndërkombëtare.
Në reagimin për situatën me bankën e Manastirit, partia në pushtet akuzon LSD-në dhe Venko Filipçen se vijojnë të manipulojnë lidhur me çështjen e Alta Bank. Sipas OBRM-PDUKM-së, mungesa e njohurive të tyre mbi sistemin bankar dëshmohet nga mosdallimi mes Eurostandard dhe Alta Bank, dy raste që mbështeten në baza të ndryshme ligjore.
Të lidhura
None found
Sipas pretendimeve të partisë, transferimi i parave u krye nëpërmjet llogarive jorezidente të kompanive të hapura fiktivisht në Shkup, me pronarë shtetas nga Amerika Latine. Një pjesë e shumës, shton OBRM-PDUKM, kaloi edhe nëpër banka ruse.
Partia në pushtet deklaron se kompanitë pranë Zaevit përfituan pothuajse 13 milionë euro nga mosshlyerja e kredive, duke dëmtuar të gjithë depozituesit e tjerë të bankës. Mes tyre, ajo përmend kompaninë “Sara Engineering DOO Strumica”, e cila në atë kohë ishte në pronësi të Vice Zaev, ndërsa aktualisht drejtohet nga Stojan Kocirov.
OBRM-PDUKM thekson se Kocirov është anëtar i Komitetit Qendror të LSD-së dhe është emëruar drejtpërdrejt nga Filipçe. Sipas saj, kompania ka detyrime ndaj Zyrës së të Ardhurave Publike, pasi nuk i ka shlyer plotësisht taksat.
Sa i përket Alta Bank, nga OBRM-PDUKM shprehen se autoritetet përgjegjëse kanë treguar transparencë për të gjithë çështjen dhe kanë bërë të ditur se po punojnë për zgjidhjen e problemit.








