Dy shtetas afganë po gjykohen në Britani për një çështje që lidhet me abuzimin e dyshuar seksual ndaj një vajze 14-vjeçare me autizëm në tren. Ata përballen gjithsej me 20 akuza për vepra penale seksuale, të cilat i mohojnë.
Sipas Daily Mail, të pandehurit janë Barialai Rahimi, 25 vjeç, nga Southall në Londrën perëndimore, dhe Mirebandurahman Sadat, 29 vjeç, nga Cricklewood në Londrën veriperëndimore. Akuzat ndaj tyre përfshijnë përdhunim, sulm seksual dhe akte seksuale me të mitur. Gjyqi po ndiqet me tronditje nga publiku britanik.
Të lidhura
None found
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 5 shkurt, në një tren Southeastern që udhëtonte drejt Londrës. Në Gjykatën e Kurorës së Londrës së Brendshme (Inner London Crown Court) u tha se burrat e kishin parë vajzën, e cila ishte larguar nga shtëpia, në një stacion hekurudhor në Kent dhe më pas e kishin ndjekur në tren.
Gjatë seancës u shfaq deklarata e filmuar që 14-vjeçarja i kishte dhënë policisë. E pyetur për pasagjerët e tjerë, ajo tha se askush nuk po i shihte dhe se të gjithë merreshin me telefonat e tyre. Sipas saj, ata nuk e kuptuan çfarë po ndodhte.
Jurisë iu paraqitën edhe pamje nga kamerat e sigurisë, në të cilat Rahimi shihej duke e drejtuar të miturën për te tualeti i trenit.
Sipas dëshmisë së vajzës, kontakti me burrat kishte nisur përpara hipjes në tren. Rahimi i bëri komplimente për pamjen dhe u përpoq t’i vishte pallton, ndërsa Sadat vështronte nga larg. Ajo tregoi se fillimisht e kishte marrë sjelljen e tij si dashamirëse, por përsëritja e komenteve e bëri të mendonte se ai po e tepronte.
E mitura tha se 25-vjeçari iu prezantua me emrin “Sandin”, më pas e përqafoi dhe e puthi pa pëlqimin e saj. Ajo u shpreh se ai i qëndronte shumë pranë, ndërkohë që ajo përpiqej ta kundërshtonte, dhe se puthja kishte qenë e tepërt.
Vajza dëshmoi se ia kishte treguar Rahimit moshën e vërtetë. Ajo tha se nuk dinte si t’i thoshte jo. Kur u pyet përse kishte pranuar të ulej në prehër, shpjegoi se ai ishte më i madh dhe më i fortë se ajo, ndaj ndihej e pafuqishme. Sipas saj, bëri atë që i kërkuan për të shmangur një situatë të rrezikshme, nga frika se ata mund të zemëroheshin dhe të përdornin dhunë.
Në një deklaratë me shkrim, Rahimi mohoi të kishte kryer krim. Ai pretendoi se vajza i kishte thënë se ishte 17 vjeçe dhe se, meqë i dukej 17 deri në 18 vjeçe, e kishte besuar. Sipas tij, nismën e kishte marrë ajo dhe gjithçka që ndodhi kishte qenë me pëlqim.
Edhe Sadat i mohoi kategorikisht akuzat. Ai tha se, ndonëse ka disa probleme me kujtesën, nuk kishte bërë veprimet për të cilat akuzohet.
Dy të pandehurit kanë deklaruar se janë të pafajshëm. Gjyqi në Gjykatën e Kurorës së Londrës së Brendshme pritet të zgjasë tre javë, ndërsa çështja ka ngritur pyetje serioze për mbrojtjen e të miturve në transportin publik.







