Operacioni për gjetjen e personit të raportuar të zhdukur në Elbasan është ndërprerë përkohësisht. Ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes morën këtë vendim për shkak të rrezikut që paraqet ndërtesa.
Shpërthimi i fuqishëm në pallatin pesëkatësh ka dëmtuar rëndë strukturën e tij. Sipas informacioneve, një person ka humbur jetën, ndërsa një i moshuar vijon të jetë i pagjetur.
Të lidhura
None found
Një banor i pallatit tregoi më herët për momentet e rënda që kaloi me familjen, pasi një pjesë e ndërtesës u shemb dhe ua bllokoi daljen nga banesa.
Ai tha se shpërthimi e goditi në kokë me derën e ballkonit. Në të njëjtën kohë, dëgjoi të birin të kërkonte ndihmë, por nuk mundi t’i afrohej.
Sipas rrëfimit të tij, shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa një pjesë e soletës ra mbi katin ku ndodhej familja, duke zënë derën dhe duke ua pamundësuar daljen.
“Më ra dera e ballkonit në kokë. Dëgjova tim bir të bërtiste ‘O ba, të lutem më ndihmo!’ dhe të mos kishe mundësi ta ndihmoje. U hodha nga kati i dytë. Nuk di asgjë çfarë ka ndodhur, sepse të gjithë në atë moment shihnin punën e vet. Vetëm di që dola në ballkon dhe thirra ‘Merrni zjarrfikësit’”, rrëfeu banori.








