Sonte mposhtëm Goliathin”, demokrati James Talarico thyen dominimin republikan në Teksas pas 38 vitesh

James Talarico ka siguruar një fitore historike për demokratët në Teksas, duke mundur republikanin Ken Paxton në garën për Senatin amerikan. Ky rezultat i jep fund epërsisë së republikanëve në zgjedhjet senatore në këtë shtet, e cila zgjaste që prej vitit 1988.

Gjatë fjalimit të fitores në Austin, kryeqytetin e Teksasit, 37-vjeçari e përshkroi përballjen si një betejë kundër “Goliathit” republikan. “Sonte e mundëm Goliathin”, u shpreh Talarico, duke theksuar se votuesit e mbështetën pavarësisht miliona dollarëve të investuar në favor të rivalit të tij.

Të lidhura

None found

Paxton kishte marrë mbështetje të fuqishme financiare dhe politike gjatë fushatës. Mes përkrahësve të tij kryesorë ishte miliarderi Elon Musk, i cili, sipas raportimeve, kishte shpenzuar mbi 200 milionë dollarë për kandidatin republikan dhe kishte sulmuar publikisht Talarico-n përmes postimeve në platformën X.

Në fushatën për Paxton ishte angazhuar edhe presidenti amerikan Donald Trump. Ai kishte udhëtuar katër herë drejt Teksasit që nga fillimi i tetorit, me synimin për të mobilizuar elektoratin republikan.

Rëndësia e fitores së Talarico-s lidhet veçanërisht me profilin politik të Teksasit, i cili njihet si një shtet konservator dhe bastion i republikanëve. Për demokratët, ky është suksesi i parë në një garë për Senatin amerikan në Teksas që prej vitit 1988, ndërsa rezultati kontribuon edhe në rikthimin e kontrollit të Kongresit nga demokratët.

Kush është James Talarico?

James Talarico është 37 vjeç, ish-mësues dhe anëtar i legjislaturës së shtetit të Teksasit. Deri vitin e kaluar, ai nuk ishte një figurë shumë e njohur për publikun, por gjatë fushatës u shndërrua në një prej përfaqësuesve kryesorë të demokratëve.

Mesazhi i tij politik u përqendrua kryesisht te rritja e kostos së jetesës dhe pasojat që, sipas tij, politikat republikane kanë pasur mbi ekonominë e qytetarëve.

Para garës me Paxton, Talarico fitoi zgjedhjet paraprake të demokratëve, ku mposhti Jasmine Crockett, përfaqësuesen e njohur të Dallasit. Edhe përballë reklamave negative dhe sulmeve politike të kundërshtarëve, ai arriti të ruante mbështetjen gjatë fushatës për Senatin.

Paxton, nga ana e tij, u përpoq ta portretizonte Talarico-n si një kandidat tepër progresist për votuesit konservatorë të Teksasit. Në këtë kuadër, ai riktheu në debat edhe qëndrimet e mëparshme të rivalit në mbështetje të personave transgjinorë.

Profili politik i Talarico-s është ndërtuar gjithashtu mbi formimin e tij fetar. Ai është nip i një predikuesi baptist dhe ka studiuar teologji presbiteriane. Në fjalimet publike, demokrati u është referuar shpesh vargjeve dhe mesazheve nga Bibla.

Rezultati i zgjedhjeve në Teksas konsiderohet një nga zhvillimet më të rëndësishme të zgjedhjeve të mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara, pasi shënon një kthesë të fortë në një shtet që për dekada është parë si bastion republikan.


Shtuar më 4.11.2026 07:43