Të hënën, partitë opozitare vijuan të kërkojnë shkarkimin e Donika Gërvallës nga posti i ministres së Drejtësisë dhe të Xhelal Sveçlës nga ai i ministrit të Brendshëm. Arsyeja lidhet me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Në të njëjtën ditë u zhvillua edhe takimi i parë i komisionit hetimor parlamentar të ngritur për këtë çështje.
Në një postim në Facebook, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, u shpreh ashpër se “ministri Sveçla duhet të shkojë në shtëpi”. Ai vuri në dukje mungesën e pajisjeve elementare për forcat e policisë, si dhe faktin që procesi i avancimeve nuk ka ndodhur prej gati një dekade. Nga ana tjetër, PDK-ja ka paralajmëruar se nëse ministrat nuk japin vetë dorëheqjen, atëherë kryeministri Kurti duhet t’i shkarkojë ata.
Të lidhura
None found
Megjithatë, të dy ministrat kanë hedhur poshtë mundësinë e dorëheqjes. Gërvalla argumentoi se një dorëheqje nuk do ta përshpejtonte përcaktimin e përgjegjësive dhe kërkoi që të lihet hapësirë për të përfunduar rishikimin e rastit: “Na lejoni të bëjmë punën tonë”. Ajo theksoi se Prokuroria kishte dijeni për kërcënimet ndaj Zekajt që prej 10 korrikut. Madje, sipas saj, më 23 tetor kryeprokurori ishte vënë në dijeni me shkrim për një kërcënim të qartë me vdekje.
Sveçla nga ana e tij pranoi se e kupton revoltën e qytetarëve që protestojnë. Ai shtoi se institucionet po i hedhin një sy rasteve të kaluara për të identifikuar ndonjë neglizhencë të mundshme. Kujtojmë se javën e kaluar, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, dha dorëheqjen nga detyra.
Gjatë seancës së parë të komisionit hetimor, Albulena Haxhiu kërkoi që të hetohet i gjithë zinxhiri institucional dhe që zyrtarët përgjegjës të dalin për të dëshmuar para këtij komisioni. Ndërkohë, analisti Arton Kasapolli shprehu rezerva ndaj efektivitetit të komisionit. Sipas tij, ngritja e komisioneve të tilla shpesh ndodh kur institucionet duan t’i shmangen kryerjes së vërtetë të punës. Në Prishtinë u organizua edhe protesta e gjashtë radhazi kundër femicidit.







