Konjufca njofton për nisjen e punës në Strategjinë Shtetërore për Hagën dhe hapat e ardhshëm

Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, bëri të ditur se është zhvilluar mbledhja konstituive e Grupit Punues, i cili do të hartojë Strategjinë Shtetërore për procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas Konjufcës, institucionet e Kosovës do t’u japin mbështetje të plotë ish-drejtuesve të UÇK-së gjatë procesit të apelit. Ai paralajmëroi bashkërendim institucional për mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare dhe kundërshtimin e përpjekjeve për ta shtrembëruar atë, transmeton “Bota sot”.

Të lidhura

None found

Reagimi i plotë

Deklarata e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e miratuar më 28 shtator, dëshmoi vullnetin tonë të përbashkët për të kundërshtuar aktgjykimin e padrejtë ndaj krerëve të UÇK-së dhe për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë çlirimtare. Në zbatim të kësaj deklarate dhe të vendimit të Qeverisë të datës 14 tetor, sot drejtova mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore për procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Gjatë takimit shqyrtuam boshtet kryesore të strategjisë, ndamë përgjegjësitë për hartimin e saj dhe miratuam planin e përgjithshëm të punës. Synimi ynë është që krerët e luftës çlirimtare të kenë përkrahjen e plotë të shtetit të Kosovës në procesin e apelit. Njëkohësisht, do ta mbrojmë me vendosmëri të vërtetën e kësaj lufte në arenën ndërkombëtare dhe do të kundërshtojmë çdo tentim për ta shtrembëruar.

UÇK-ja është faktor bashkimi për të gjithë, përtej dallimeve, pasi lufta e saj çlirimtare është në themel të lirisë dhe shtetit tonë. Përballë kësaj beteje, institucionet e Republikës dhe forcat politike kanë përgjegjësi të qëndrojnë së bashku, me përkushtimin dhe vendosmërinë që kërkon mbrojtja e një të drejte historike të popullit tonë.