“Je militant i thekur”, Alban Dudushi përplaset ashpër me Agron Shehajn: Ata të katit të tretë mos të më çojnë mesazhe, familjen mos ma prek

Një debat i ashpër ka shpërthyer mes kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe analistit Alban Dudushi. Gjithçka nisi kur gazetari kritikoi qëndrimin e Shehajt ndaj protestave, duke vënë në pikëpyetje sjelljen e tij si politikan, në raport me aktivitetin si biznesmen në Itali.

Shehaj iu kundërpërgjigj duke e akuzuar analistin se është “militant i thekur” dhe duke ngritur dyshime për përfitime nga pushteti. Kaq mjaftoi që debati të merrte një tjetër drejtim në studion e “TPZ”. Dudushi i kërkoi Shehajt të tregonte publikisht se çfarë kishte përfituar dhe paralajmëroi se do ta padiste në gjykatë për shpifje.

Të lidhura

None found

Por momenti më i tensionuar erdhi kur analisti përmendi disa mesazhe që, sipas tij, i kishin mbërritur në celular nga persona që i cilësoi si “ata të katit të tretë”.

“U thuaj atyre të katit të tretë të mos më çojnë mesazhe në celular. Me mua personalisht dhe me familjen time nuk të lejoj”, iu drejtua Dudushi Shehajt.

Pjesë nga debati:

Dudushi: Çfarë më pengon mua te Agroni? Agroni po të ishte në Itali me shokët e pasur, flet në favor të protestës. Më duket bipolarizëm politik, nëse në Itali sillet si biznesmen, këtu sillet si emigrant i brezit të dytë.

Shehaj: Ti mund ta bësh personale, se nuk e di se si jetoj unë.

Dudushi: Nëse në Itali do të dilte publikisht ose do të kishe shumë dyer të mbyllura, ose do të kishte fatin e marokenit që iu mbyllën faqet për 17 tetorin. Ky është problem politik. Se ma bën të pabesueshëm Agronin si politikan që del me një celular dhe përplas dyert e policisë, u bërtet policëve. Nuk mundet që ndërkohë që vjen nga biznesi dhe i hyn politikës si i djathtë nuk thua një fjalë për biznesin. Agroni në Itali e di shumë mirë se çfarë do të thotë se duhet distancuar nga dhuna. Këtu problemi është te protesta që ka rrethe vërdallë që i vijnë protestës se ajo energji do t’i nxjerrë si ata sërfistët që presin dallgën e madhe. Këtu ka të drejtë Agroni, por nuk e di kur do të ndodhë ndryshimi epokal. Që këta të mos jenë më të dallueshëm në ambicien kryeministrore.

Shehaj: Kur vjen puna për të më sulmuar mua e krahason me Italinë. Unë e di që përfaqësuesit e mazhorancës nuk vijnë këtu, dhe vini me kapelen e analistit, kur jeni një militant i thekur. Na përmend Pazolinin, por përmend edhe ata që thonë dysho nga gazetarët e pasur.

Dudushi: Më thuaj çfarë kam përfituar. Mi thuaj këtu tani. Unë nesër të denoncoj në Gjykatë dhe ti paguan 20 vjet kreditë e mia.

Shehaj: Më kanë kërcënuar edhe të tjerë.

Dudushi: Dhe u thuaj atyre të katit të tretë të mos më çojnë mesazhe në celular. Me mua personalisht dhe me familjen time nuk të lejoj. M’i trego përfitimet e mia pasurore. Unë i kam 30 vjet të deklaruara të gjitha taksat.


Shtuar më 27.10.2026 22:46