Në Komisionin e Ligjeve, deputetët socialistë votuan në favor të ndryshimit të dy neneve të ligjit për Bankën e Shqipërisë. Sipas ndryshimeve, për vepra penale që lidhen me detyrën, guvernatori nuk mund të ndalohet ose të privohet nga liria me masa shtrënguese dhe nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit personal apo të banesës.
Deputeti socialist Damian Gjiknuri shprehu rezerva për propozimin, duke argumentuar se garancitë që parashikohen janë të tepruara.
Të lidhura
None found
“Me ligj po i japim guvernatorit garanci që nuk i ka askush, përveç presidentit. Kjo është e tepërt. Kështu pranojmë dështimin e drejtësisë, ndërsa garancinë ta jep gjykata. Mbrojtja duhet të jetë në nivel kushtetues, por nuk duhet t’i japim një garanci që nuk parashikohet nga norma kushtetuese. Ky është rasti i vetëm kur bëhet bypass”, tha Gjiknuri.
Zëvendësguvernatorja Holta Zaçaj iu përgjigj shqetësimeve, duke sqaruar se propozimi nuk përbën imunitet, por synon të garantojë pavarësinë e institucionit.
“Në nenin 72 kemi propozuar që, nëse kërkohet arrestimi i guvernatorit, të verifikohet nëse ekzistojnë prova të qenësishme dhe nëse veprat penale për të cilat kërkohet masa lidhen me ushtrimin e detyrës. Kjo nuk është imunitet, por një dispozitë garantuese. Guvernatori nuk mbrohet për shkak të postit që mban, por për të siguruar që ai të funksionojë në mënyrë të pavarur, pa frikën se një organ i një pushteti tjetër mund ta pengojë në ushtrimin e detyrës. Nuk mbrohet personi, por institucioni, përmes mbrojtjes së guvernatorit”, u shpreh Zaçaj.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ngriti pikëpyetje për ndikimin që kufizimi i kontrolleve në personin ose banesën e guvernatorit mund të ketë në punën e prokurorisë dhe në sigurimin e provave.
“Në rastet kur kufizojmë kontrollin e banesës dhe kontrollin personal, a pengohet hetimi? Si do t’i gjejë prokurori provat?”, pyeti Manja.






