Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik u mblodh në distancë. Deputetët e Partisë Socialiste nuk u paraqitën fizikisht në sallë, ndërsa opozita bojkotoi punimet.
Iris Luarasi, Ardit Bido, Piro Dhimo, Ramion Kurti, Kiduina Zaka, Etleva Budini, Alma Selami dhe deputetë të tjerë morën pjesë në diskutime online, në një zhvillim të përshkruar si mbledhje “si në kohë lufte”.
Të lidhura
None found
Luarasi u lidh nga banesa e saj dhe foli fillimisht për protestat e dhunshme në Tiranë, duke ngritur shqetësimin për sjelljen e të miturve dhe të pjesëmarrësve të tjerë.
“Në protestat e dhunshme po përfshihen dhe përdoren të mitur. Protesta është një e drejtë e shenjtë në demokraci: të rinjtë dhe studentët kanë të drejtë të shprehen dhe t’i kërkojnë më shumë shtetit e neve. Nga ana tjetër, asnjë punonjës policie nuk mund të shkelë ligjin. Çdo rast tejkalimi duhet hetuar dhe kushdo që ka gabuar duhet të japë llogari.
Kur shohim 14-16-vjeçarë në radhët e para të përplasjeve, mes gurëve, molotovëve dhe gazit lotsjellës, duhet të pranojmë se është kapërcyer një kufi. Kemi parë përpjekje për t’u vënë flakën institucioneve dhe bizneseve. Në një situatë të tillë, asnjë fëmijë nuk duhet të shërbejë si mburojë për askënd”, u shpreh ajo.
Deputetja u bëri thirrje kolegëve të opozitës që të rikthehen në Komisionet Parlamentare dhe të marrin pjesë në punimet e tyre.
Piro Dhima votoi nenet në parim nga makina, ndërsa Ardit Bido dhe disa prej kolegëve të tij ndoqën mbledhjen nga zyrat.





