Nirvana Deliu
Integrimi në Bashkimin Evropian (BE) për Shqipërinë është më konkret se asnjëherë tjetër. Pas 26 vitesh proces, Shqipëria, e mbështetur edhe nga Komisioni Evropian, ka një objektiv: mbylljen e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimin në vitin 2030. Sigurisht, në deklaratat e përfaqësuesve të BE-së, ai vlerësohet si një plan që mund të arrihet, por vetëm nëse Shqipëria punon me reformat, respekton afatet dhe plotëson standardet e vendosura për secilin kapitull. Dhe kur flasim për kapituj, kujtojmë që janë 33 të tillë, që po negociohen dhe për secilin prej tyre BE-ja ka vendosur ato që në terminologjinë eurokratike njihen si kritere (benchmarks).
Ndërkohë që komunikimi mes institucioneve publike shqiptare dhe BE-së është intensifikuar, ajo që ka munguar dhe duket se ende nuk është kthyer në normë, është krijimi i hapësirës për një komunikim konkret e teknik për procesin e integrimit në BE dhe si përkthehet kjo për shoqërinë, ekonominë dhe shtetin shqiptar. Ndonjëherë kur flet për BE-në është e vështirë të kuptohesh nga të gjithë, aq më pak nga ata që janë larg procesit të politikëbërjes, avokatisë, gazetarisë apo ekspertizës, por është me rëndësi pasi të gjitha grupet në një formë apo në një tjetër, do të ndikohen nga ky proces.
Të lidhura
None found
Kur flasim për politika, ligje, kritere dhe standarde, ato nuk mund të kthehen thjesht në numra dhe metodologjia e vlerësimit nuk mund të jetë aq e ftohtë sa ajo e një eksperimenti në një laborator mjekësie.
Dhe aq sa është e nevojshme të diskutohet se çfarë nënkupton procesi i negociatave dhe çfarë nënkupton integrimi në BE, po aq e rëndësishme është që ky proces të vlerësohet me një sy objektiv dhe realist, duke sjellë në ekuacion edhe kostot, problematikat, sfidat apo vështirësitë, si dhe duke përcaktuar qartë aktorët e përfshirë dhe rolin e tyre: shteti shqiptar që bën reformat, grupet e interesit që preken prej tyre, përfshirja dhe kuptueshmëria e këtyre grupeve ndaj reformave, roli i Komisionit Evropian dhe i shteteve anëtare me qytetarët e tyre.
Dhe duke filluar të kuptojmë procesin, e zbërthejmë atë dhe e çmitizojmë…
Miti i Negociatave: Është një proces vetëm teknik: plotëson kushtet, ecën përpara
Nëse ka diçka që duhet ta kemi mësuar, është se procesi i integrimit nuk është një proces drejtvizor, i njëkahshëm dhe i parashikueshëm. Mbi të gjitha, nuk ka asnjëherë një ndarje të qartë mes anës teknike dhe asaj politike. Kryefjala e BE-së një proces i mbështetur në meritë. Në këtë kuadër janë specifikuar kriteret që duhen arritur; të famshmet Kritere të Kopenhagës të ndara në tre: Kriteri politik që përkthehet në shtet të së drejtës, institucione me demokraci të konsoliduar dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut. Kriteri ekonomik që kërkon që vendi kandidat, pikë së pari, të ketë një ekonomi tregu funksionale dhe të jetë i aftë të konkurrojë, pasi hyrja në BE nënkupton edhe hyrjen në Tregun e Vetëm të saj. Kriteri i acquis që lidhet me fazën e procesit ku ndodhet sot Shqipëria: aspektin teknik të harmonizimit dhe përafrimit të legjislacionit kombëtar me atë të BE-së, sipas kapitujve. Por nuk mjafton vetëm kaq. Kërkesa për kapacitetet administrative dhe institucionale, e theksuar në Këshillin Evropian të Madridit në vitin 1995, dy vite pas përcaktimit të kritereve të Kopenhagës, solli një kriter të ri që lidhet me aftësinë e vendit kandidat për të zbatuar legjislacionin e përafruar me standardet e BE-së.
Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në: 33 kapituj të ndarë në gjashtë grupkapituj tematikë. Deri më tani ajo ka mbyllur përkohësisht katër kapituj: Kërkimi Shkencor (kapitulli 25), Arsimi dhe Kultura (kapitulli 26), Marrëdhëniet me Jashtë (kapitulli 30) dhe Politika Industriale dhe Sipërmarrjet (kapitulli 20). Është e rëndësishme të theksohet se mbyllja është e përkohshme, pasi kapitujt mund të rihapen në rrethana të caktuara, për shembull kur nuk ka progres të dukshëm apo ka regres pas mbylljes ose kur zhvillimet e reja në nivel BE-je kërkojnë përshtatje të mëtejshme të legjislacionit të vendit kandidat.
Për këta 33 kapituj, Bashkimi Evropian ka përcaktuar për Shqipërinë 121 kritere[ Kriteret janë përcaktuar në pozicionet negociuese për çdo grupkapitull. Gjeni më shumë në: www.consilium.eu dhe https://enlargement.ec.europa.eu/countries/albania_en ] përmbyllëse, ndërkohë që për Kapitullin 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe Kapitullin 24 (Drejtësia, Liria, Siguria) në sajë dhe të Metodologjisë së Zgjerimit miratuar në 2020 më parë ishin përcaktuar: 3 kritere hapëse dhe 24 kritere të ndërmjetme, tashmë të realizuara nga Shqipëria.
Edhe pse negociatat shpërfaqen si pjesa më teknike e procesit të integrimit, ato kanë edhe një dimension po aq të fortë politik.
Çfarë do të thotë për një vend kandidat që të negociojë dhe çfarë mund të negociohet?
Negociatat për anëtarësim shërbejnë si faza ku Komisioni Evropian monitoron vazhdimisht dhe vlerëson progresin e vendit kandidat në përafrimin e legjislacionit me atë Evropian për çdo kapitull, ngritjen e kapaciteteve të nevojshme institucionale dhe njerëzore, si dhe rezultatet e arritura gjatë zbatimit të reformave. Për çdo kapitull, Komisioni Evropian përcakton kritere hapëse, të ndërmjetme apo mbyllëse dhe vetëm kur kriteret mbyllëse vlerësohen nga Këshilli (pra shtetet anëtare), si të përmbushura, kapitulli në fjalë mund të mbyllet (përkohësisht).
Në negociata, vendi kandidat nuk mund të zgjedhë cilat detyrime të acquis të BE do të zbatojë dhe cilat jo. Ato që mund të negociohen, në raste të caktuara, janë kushtet dhe afatet për përmbushjen e tyre. Zgjidhje praktike për këtë janë ato që njihen si periudhat transitore, të cilat mundësojnë zbatimin gradual të disa rregullave të BE për vendin kandidat pas anëtarësimit, por brenda afateve dhe kushteve të dakordësuara apo të negociuara. Këto periudha edhe pse në dukje ngjajnë si lëshime për vendin kandidat, nuk janë thjesht lehtësi procedurale.
Ato pikësëpari pasqyrojnë faktin e dukshëm por jo aq të komunikuar, se përafrimi me standardet Evropiane mund të kërkojë investime të konsiderueshme, ndryshime institucionale dhe kohë për përshtatjen e ekonomisë, bizneseve dhe shoqërisë. Një detyrim ligjor mund të transpozohet në legjislacionin kombëtar brenda një afati, por zbatimi i tij efektiv mund të kërkojë shumë më tepër kohë dhe jo vetëm për institucionet publike por edhe për sektorët që preken nga këto ndryshime dhe detyrime ligjore. Në mungesë të kapaciteteve dhe përgatitjes së nevojshme, mosndërgjegjësimit dhe mungesës së investimeve, kalimi drejt standardeve të reja mund të sjellë (e do të sjellë) kosto ekonomike e sociale, vështirësi për bizneset dhe presion mbi institucionet publike.
Pikërisht për këtë arsye, periudhat transitore shërbejnë si instrument për një përshtatje graduale. Por ato nuk janë automatike: kërkesat nga vendi kandidat duhet të argumentohen mirë dhe të miratohen në mënyrë që BE-ja të bindet. Sot nuk mund të analizohen kërkesat për periudha transitore të paraqitura nga Shqipëria, pasi dokumentet e përgatitura negociouese të shtetit shqiptar nuk janë të publikuara. Por ne mund të kuptojmë në cilat fusha dhe cilat afate janë kërkuar, nga pozicionet negociuese që BE-ja ka publikuar për çdo grupkapitull.
Shqipëria ka kërkuar periudha transitore në disa prej fushave ku ishte e pritshme që përafrimi dhe zbatimi i standardeve Evropiane do të sillnin sfida të konsiderueshme, si mjedisi, taksat, tregtia, bujqësia, punësimi dhe çështjet sociale. Megjithatë, këto të dhëna duhen lexuar me kujdes. Fakti që Shqipëria ka kërkuar një periudhë transitore nuk tregon, në vetvete, nëse kërkesa është e arsyeshme, dhe nëse është pranuar apo do të pranohet nga BE-ja. Në gjuhën e saj në pozicionet negociuese, Bashkimi Evropian thekson se kërkon më shumë informacion dhe arsyetim, e vetëm pas këtij informacioni do të marrë një vendim.
Këtu është momenti ku institucionet shqiptare duhet të jenë bindëse, me argumente dhe të dhëna të plota e të sakta, me plane konkrete dhe realiste për zbatimin e periudhës transitore që dhe nga ana e BE-së të pranohen këto kërkesa.
Këtu shohim tashmë aspektin politik dhe jo aq të ngurtë të negociatave. Nëse vendi kandidat arrin të bindë, të arsyetojë dhe të japë informacionin e nevojshëm se pse e kërkon një periudhë transitore dhe si e planifikon zbatimin gradual të legjislacionit pas anëtarësimit, mund të negociojë me BE-në kushtet dhe afatet përkatëse.
Në dokumentet e qëndrimeve të BE-së në kuadër të negociatave me Shqipërinë gjenden 32 periudha transitore të kërkuara nga Shqipëria. Për shumicën prej tyre (27) është kërkuar një periudhë nga gjashtë deri në dhjetë vjet, ndërkohë që për dy prej tyre janë kërkuar më shumë se 20 vjet. Kapitulli ku janë kërkuar më shumë periudha transitore është kapitulli 16 – Tatimet, me 12 periudha, i ndjekur nga kapitulli 27 – Mjedisi, me 10.
Kohëzgjatja e disa prej këtyre periudhave ngre një pyetje që shkon përtej vetë negociatave: çfarë na tregojnë ato për kostot, kapacitetet dhe kohën e nevojshme për ta bërë përafrimin real, dhe jo vetëm formal? Këto periudha bëjnë sens kur bëhet fjalë për dy, tre apo pesë vite pas anëtarësimit. Por një periudhë transitore deri në vitin 2056, a është më realiste?
Ky është rasti i kërkesës së Shqipërisë me Kapitullin 19 për arritjen e barazisë gjinore në moshën e pensionit, i cili ngre një pyetje të natyrshme: a ka më kuptim një afat i tillë? Në rastin e Shqipërisë, disa prej kërkesave shkojnë shumë përtej periudhave të shkurtra të përshtatjes. Edhe kërkesa për zbatimin e direktivës për ujin e pijshëm deri në vitin 2040 ngre pyetje për kohën, investimet dhe kapacitetet që do të nevojiten.
Në qëndrimin e saj negociues për Kapitullin 19[ https://drive.google.com/file/d/1g2OUwduKEsj55hf47KIuY1NBb_d_Hp_a/view, pg. 13], BE-ja vëren se Shqipëria kërkon një periudhë transitore deri në vitin 2056 për zbatimin e Direktivës 79/7/KEE, me qëllim barazimin e moshës së pensionit për burrat dhe gratë. Megjithatë, BE-ja e konsideron të pajustifikuar një periudhë kaq të gjatë dhe vlerëson se do të ishte e preferueshme një periudhë më e shkurtër, me rritje më të shpejtë të moshës së pensionit për gratë. Përpara se të mbajë një qëndrim përfundimtar, BE-ja i kërkon Shqipërisë më shumë informacion mbi planet e reformës së pensioneve, një kalendar të ri për barazimin e moshës së pensionit dhe ndikimin e kësaj rritjeje në financat publike dhe tregun e punës.
Sigurisht, vetëm kohëzgjatja e një periudhe transitore nuk provon se një kërkesë është e pajustifikuar. Por këto afate duhet të na bëjnë të pyesim: çfarë investimesh kërkohen, kush do t’i përballojë kostot dhe çfarë duhet të bëjë Shqipëria gjatë kësaj kohe?
Por edhe BE ka periudhat e veta transitore. Një prej atyre që na intereson më shumë është e drejta për të punuar në BE lidhur me Kapitullin 2 – Lëvizja e lirë e punëtorëve. Pas anëtarësimit, shtetet anëtare mund të vendosin kufizime të përkohshme për aksesin e punonjësve nga vendet e reja anëtare në tregjet e tyre të punës, për një periudhë që mund të shkojë deri në shtatë vjet[ Kjo është periudha maksimale që mund të kërkohet dhe mund të kërkohet vetëm nga disa vende anëtare jo detyrimisht nga të gjitha ]. Pra, mund të presim deri në shtatë vjet që qytetarët shqiptarë, tashmë qytetarë të BE-së, të kenë akses të plotë në tregun e punës të disa shteteve anëtare, të cilat mund të vazhdojnë të kërkojnë leje pune ose të vendosin kuota, sipas rregullave përkatëse. Pra, edhe anëtarësimi nuk do të thotë domosdoshmërisht se çdo e drejtë do të ushtrohet menjëherë dhe në të njëjtën mënyrë në të gjitha shtetet anëtare.
BE-ja vlerëson se do të nevojiten masa transitore që shtetet anëtare aktuale të mund të kufizojnë përkohësisht aksesin e punëtorëve shqiptarë[ https://drive.google.com/file/d/1qN7D2vYSWmhBpp76KcLkft2slvW6bBH1/view, fq. 7] në tregjet e tyre të punës, si dhe në disa raste lëvizjen e përkohshme në kuadër të ofrimit të shërbimeve. BE-ja thekson gjithashtu se të drejtat e shtetasve shqiptarë që do të jenë tashmë të punësuar ligjërisht në një shtet tjetër anëtar do të mbrohen sipas acquis përkatës. Për këtë çështje, BE-ja parashikon të rikthehet në një fazë të mëvonshme të negociatave, pasi Komisioni të ketë përgatitur një vlerësim të ndikimit.
Procesi nuk është vetëm teknik dhe progresi, ashtu si arritja e standardeve, nuk është gjithmonë lehtësisht i matshëm. Si matet demokracia, lufta kundër korrupsionit apo mbrojtja e të drejtave të njeriut? Si mund t’u vendosim një numër këtyre? Në lojë janë interesat e 27 shteteve anëtare dhe vendimmarrja në Këshill, ku ekziston edhe vetoja e famshme. Nga një instrument që në parim duhet të përdoret në rrethana të caktuara, vetoja mund të kthehet në mjet presioni politik, i ndikuar nga interesat kombëtare dhe mosmarrëveshjet mes shteteve anëtare. Kemi parë bllokime të lidhura me mosmarrëveshjet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe me Greqinë dhe Shqipërinë. Edhe Hungaria ka përdorur bllokime në çështje të lidhura me Ukrainën dhe buxhetin e BE-së, duke treguar se sa shumë mund të ndikojnë interesat kombëtare në vendimmarrjen Evropiane.
Prandaj, gjithnjë e më shumë po diskutohet për kufizimin e përdorimit të vetos dhe për ndryshimin e mënyrës së vendimmarrjes[ https://commission.europa.eu/document/download/19022e79-d2b4-4d13-bdc6-0185da92856a_en?filename=COM-2026-705_en.pdf ] në disa faza të procesit të integrimit dhe pas anëtarësimit. Në propozimet e saj të fundit, Komisioni Evropian synon të përshpejtojë vendimmarrjen në negociata, duke sugjeruar përdorimin e votimit me shumicë të cilësuar për hapjen e grupkapitujve dhe për disa vendime të ndërmjetme. Gjithashtu, propozohet që shtetet e reja anëtare, për një periudhë të kufizuar, të angazhohen të mos kundërshtojnë vendime të BE-së që lidhen me zgjerimin e ardhshëm apo me mosmarrëveshje dypalëshe. Mbetet për t’u parë se cilat prej këtyre propozimeve do të pranohen nga shtetet anëtare dhe si do të zbatohen në praktikë.
Por vendimet për zgjerimin nuk merren në një vakum politik. Përtej qeverive dhe institucioneve Evropiane, rëndësi ka edhe mënyra se si qytetarët e shteteve anëtare e perceptojnë zgjerimin dhe çfarë shqetësimesh kanë për të
Po qytetarët e BE-së? A janë ata relevantë? A duan qytetarët e BE-së zgjerimin? Në Eurobarometrin e fundit, BE-ja nuk la pa përmendur se sa shumë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos shqiptarët, e dëshirojnë anëtarësimin dhe integrimin Evropian. Por a u kushtohet po aq vëmendje qëndrimeve të qytetarëve të BE-së? A do ta mirëprisnin ata një anëtar të ri si Shqipëria, Serbia apo Mali i Zi? Shifrat janë befasuese.[ Eurobarometer, Qëndrimet ndaj Zgjerimit të BE-së, shtator 2025, https://europa.eu/eurobarometer/surveys/detail/3413]
Vetëm 50% e qytetarëve të BE-së janë dakord me zgjerimin! Dhe kjo tregon shumë. Në Gjermani, 50% janë pro zgjerimit, por po kaq janë kundër tij. Në Francë, 43% janë pro, ndërsa 50% kundër. Edhe në Itali shifrat janë të ngjashme. Kjo nuk mund të mos ketë ndikim në politikën e zgjerimit të BE-së dhe në perspektivën Evropiane të vendeve kandidate.
Po cilat janë frikërat kryesore të qytetarëve të BE-së ndaj zgjerimit të mundshëm? Nuk është aspak e habitshme që një prej shqetësimeve kryesore është migracioni, i përmendur nga 40% e të anketuarve. Kjo shoqërohet me shqetësimet për korrupsionin, krimin e organizuar dhe kostot që zgjerimi mund t’u sjellë taksapaguesve Evropianë.
Përtej vetë këtyre shqetësimeve, lind edhe një pyetje tjetër: a kanë qytetarët besim se BE do të jetë në gjendje të sigurojë që vendet e reja anëtare të përmbushin standardet dhe të vazhdojnë t’i zbatojnë ato pas anëtarësimit? Vetëm 2% e të anketuarve mendojnë se zgjerimi nuk do të sjellë asnjë problematikë. Dhe këtu një tjetër mit bie poshtë: të qenurit në BE, të kaluarit të vlerësimit dhe monitorimi të hollësishëm të Komisionit Evropian dhe Këshillit nuk të bën imun nga problematikat sidomos nga ato që lidhen me shtetin e së drejtës, demokracinë, korrupsionin apo të drejtat e njeriut.
Puna po vazhdon për mbylljen e kapitujve të mbetur. Por pyetja që mbetet është: sa e mundur është të kapim afatin e dëshiruar, dhjetorin e vitit 2027, për të mbyllur të gjithë kapitujt? Dhe nëse e kapim, si do e kapim?
Dhe, përtej afatit, a po përgatitemi vetëm për t’i mbyllur kapitujt, apo edhe për t’i zbatuar realisht detyrimet që vijnë me anëtarësimin? Sepse integrimi Evropian nuk përfundon me një kapitull të mbyllur. Dhe anëtarësimi në BE nuk do t’i zhdukë të gjitha problemet tona, dhe mbi të gjitha nuk do të thotë që nuk do të krijohen problematika të reja dhe nuk do të thotë që do të jetë një proces pa asnjë kosto…
Ky shkrim botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi Evropian” të Institutit Shqiptar të Medias.





