Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi sot një takim me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila gjendet për vizitë zyrtare në RMV.
Sipas kabinetit të Gashit, ai shprehu kënaqësi për vizitën zyrtare të Haxhiut, duke e cilësuar atë si konfirmim të angazhimit reciprok për avancimin e fqinjësisë së mirë, dialogut parlamentar dhe bashkëpunimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Të lidhura
None found
Gashi vuri në dukje se bashkëpunimi parlamentar mes dy kuvendeve karakterizohet nga një dinamikë e theksuar dhe shprehu bindjen se ky trend do të vijojë edhe në vazhdim. Ai theksoi se të dy shtetet kanë një vizion të përbashkët për një rajon paqësor, të qëndrueshëm, të sigurt dhe ekonomikisht të begatë, të integruar në strukturat euroatlantike, prandaj mbetet e rëndësishme të vazhdohet me dialog dhe koordinim të hapur për çështjet me rëndësi rajonale.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u angazhua për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit konstruktiv ndërmjet dy kuvendeve dhe nënvizoi se kjo është vizita e saj e parë zyrtare jashtë vendit në rolin e kryetares, çka përbën një dëshmi të fortë të rëndësisë së marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe dhe bashkëpunimit të frytshëm mes dy vendeve mike.
Ajo shprehu mirënjohje që Republika e Maqedonisë së Veriut ka mbajtur vazhdimisht një qëndrim afirmativ për aderimin e Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat dhe iniciativat shumëpalëshe e rajonale. Në takim u diskutua edhe procesi i integrimit evropian, ku të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi i ndërsjellë duhet të synojë krijimin e kushteve për përshpejtimin e integrimit evropian të gjithë rajonit, bazuar në merita, plotësimin e kritereve dhe zbatimin konsekuent të reformave, raporton Telegrafi.






