Vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e nisi me një takim me homologun e saj, Afrim Gashi.
Gjatë bisedës u diskutua për forcimin e lidhjeve mes parlamenteve, përfshirë punën e komisioneve dhe grupeve të miqësisë, bëri të ditur Haxhiu.
Të lidhura
None found
“Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë më të qëndrueshme kur kanë mbështetje të gjerë në parlamentet e tyre, si te shumica, ashtu edhe te opozita”, shkroi ajo.
Haxhiu nënvizoi se kuvendet mund të kontribuojnë në afrimin e mëtejshëm të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Një tjetër temë e takimit ishte mbikëqyrja e zbatimit të marrëveshjeve mes dy vendeve, në mënyrë që ato të sjellin përfitime konkrete për qytetarët.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës e falënderoi Gashin për mbështetjen që Maqedonia e Veriut i ofron Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Palët folën gjithashtu për bashkërendimin në forumet parlamentare ndërkombëtare dhe për rrugën evropiane të të dy vendeve.






