Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përshëndeti rezultatin e “Koalicionit Shqiptar” në zgjedhjet në Serbi. Sipas tij, bashkimi i forcave politike shqiptare siguroi 1.233 vota më shumë se në zgjedhjet e vitit 2020.
Kurti nënvizoi se shqiptarët fituan dy mandate, edhe pse përballen me diskriminim dhe përjashtim nga institucionet publike. Ai u shpreh se ky rezultat duhet të shënojë fillimin e një bashkëpunimi politik të vazhdueshëm dhe të përpjekjeve më të forta për barazi, të drejta dhe jetë dinjitoze në vendlindje.
Të lidhura
None found
Postimi i plotë i Kurtit:
Siç ramë dakord më 29 shtator, sot prita përsëri në Zyrën e Kryeministrit drejtues dhe përfaqësues të subjekteve politike, aktivistë e bashkëkombës nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Pazari i Ri. Ata i lanë mënjanë dallimet dhe u bashkuan në listën “Koalicioni Shqiptar”.
Ky bashkim dha rezultatin më të mirë të shqiptarëve në Serbi që nga viti 2000. Deri tani janë numëruar plot 1.233 vota më shumë sesa në vitin 2020, kur u fituan tri mandate.
Shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, por në zgjedhjet e së dielës u renditën të dytët për nga numri i votave dhe, bashkë me hungarezët, të parët për nga mandatet mes listave të pakicave kombëtare. Dy partitë më të mëdha serbe kanë gjithsej 244 mandate, ndërsa katër listat e pakicave kanë gjashtë. Dy prej këtyre mandateve i përkasin “Koalicionit Shqiptar”.
Pesha e këtij rezultati shkon përtej shifrave, pasi u arrit në një kohë kur adresat po pasivizohen, diplomat nuk njihen, shqiptarët përjashtohen sistematikisht nga institucionet publike dhe përballen me diskriminim ekonomik, emigrim e zbrazje të vendbanimeve. Për më shumë se dy dekada, shqiptarët kanë qenë një lloj opozite e dyfishtë: ndaj pushtetit dhe ndaj shtetit, i cili ishte pozicionuar kundër tyre.
Bashkimi nuk duhet të ndalet. Duhet ta kuptojmë se më 25 tetor ky bashkim, si një cilësi e re, hapi një kapitull të ri, i cili duhet të vijojë me mbrojtje të fortë të të drejtave, kërkesë për barazi dhe angazhim për një jetë dinjitoze në vendlindje. Dy mandatet janë rezultat i përbashkët dhe, mbi të gjitha, përgjegjësi e përbashkët. Sa më të mëdha mundësitë, aq më e madhe është edhe përgjegjësia.





