Dita e 15-të e protestës kundër qeverisë Rama, studentët mblidhen sot në orën 10:00 para Ministrisë së Arsimit

Këtë të martë, studentët pritet të mblidhen në orën 10:00, përpara Ministrisë së Arsimit, ku do të vijojnë protestën që prej dy javësh ka përfshirë kryeqytetin.

Në mbështetje të tyre janë bashkuar edhe pedagogët e universiteteve publike, të cilët kanë bojkotuar auditorët dhe kanë vendosur të qëndrojnë në krah të studentëve.

Të lidhura

None found

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, ka shpallur bojkotin e mësimdhënies që prej 21 tetorit, duke njoftuar se ai do të vijojë deri në një vendim të dytë.

Gjatë dy javëve të fundit, tubimet janë shoqëruar me tensione, përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, si dhe me të plagosur e të shoqëruar në polici.

 

 

Ndërhyrjet e policisë kanë shkaktuar reagime të forta nga studentët, pedagogët dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë kërkuar hetimin e rasteve të pretenduara të përdorimit të tepruar të forcës.

Ndërkohë, studentët kanë refuzuar ftesat e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre nuk mund të zgjidhen përmes takimeve që, sipas tyre, nuk ofrojnë garanci për ndryshime konkrete.

Protestat studentore, të cilat janë shoqëruar me revolta të ashpra nuk ishte një shpërthim i rastësishëm. Ajo erdhi si rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej kohësh nga të rinjtë, që kanë protestuar prej kohësh, por zëri tyre me protesta paqësore nuk u dëgjua.

Diskutimet për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet nëpër konvikte kanë qenë prej kohësh në qendër të ankesave, por siç duket qeveria nuk mendonte se kjo do shpërthente në një lëvizje masive dhe këmbëngulëse. Dita e parë e protestës nisi me modesti, në dukje si një grumbullim i zakonshëm.

Një grup i vogël studentësh, të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga “mbyllja e veshëve” nga institucionet, u mblodhën te Ministria e Arsimit.

Me thirrje dhe pankarta të improvizuara, ata shprehën indinjatën e tyre. Por ajo që filloi si një zë i vetmuar, shumë shpejt gjeti jehonë. Lajmi u përhap shpejt në rrjetet sociale, duke frymëzuar qindra të tjerë të bashkoheshin.

Brenda disa orësh, numri i protestuesve u rrit ndjeshëm, duke bllokuar qarkullimin në rrugën kryesore dhe duke “shpërthyer” në protesta me revolta të mëdha. Të revoltuar, studentët nisën t’i vinin flakën institucioneve shtetërore dhe bankave. Ndërkohë, që tubimet vijojnë ato nuk e kanë ndaluar në asnjë moment thirrjen “Rama jepe dorëheqjen”.


Shtuar më 27.10.2026 09:33