Hansi Flick ka vendosur t’u japë futbollistëve të Barcelonës dy ditë pushim, pas humbjes së vështirë në El Clasico ndaj Real Madridit. Trajneri synon që lojtarët të rikuperohen fizikisht dhe mendërisht.
Sipas mediumit spanjoll SPORT, skuadra nuk do të stërvitet deri të mërkurën. Vendimi vjen pas një periudhe me përballje të rëndësishme dhe ngarkesë të lartë për katalunasit.
Të lidhura
None found
Të dielën, Barcelona u mposht 2-1 nga Real Madridi dhe pësoi humbjen e parë në këtë edicion të La Ligës. Kylian Mbappe shënoi dy herë për madrilenët.
Disfata në kampionat erdhi pak ditë pas humbjes 4-2 ndaj Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve, duke e rënduar më tej situatën e skuadrës.
Raportimi bën të ditur se Flick ka parë mungesë të freskisë dhe rënie të ritmit të zakonshëm në të dyja ndeshjet. Për këtë arsye, ai ka vendosur që fillimisht t’i kushtojë vëmendje pushimit dhe rikuperimit, përpara se të fokusohet te ndryshimet taktike.
Lodhja ishte shtuar edhe gjatë dy javëve të fundit, ndërsa udhëtimi i vështirë pas ndeshjes në Sevilla ndikoi në përgatitjet e Barcelonës.
Probleme në organizimin e udhëtimit shkaktuan kushtet e pafavorshme atmosferike në Kataloni. Lojtarët qëndruan të bllokuar në aeroplan për më shumë se një orë dhe më pas u kthyen në hotel.
Si pasojë, koha për rikuperim para udhëtimit të rëndësishëm në Paris u shkurtua. Atje, Barcelona u përball me PSG-në në Ligën e Kampionëve.
Ngarkesa fizike, së bashku me shtimin e rasteve të lëndimeve, duket se ka ndikuar në paraqitjet e fundit të skuadrës.
Flick shpreson që dy ditët pa stërvitje t’i ndihmojnë futbollistët të rifitojnë energjinë dhe përqendrimin. Ai kërkon gjithashtu që secili lojtar t’u përmbahet planeve ushqimore të përcaktuara për të.





